Policia e Kosovës ka njoftuar për tri raste të lëndimit të lehtë trupor që kanë ndodhur në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Lipjan.
Sipas raportit të policisë, rasti i parë është raportuar në Fushë Kosovë të shtunën rreth orës 01:20, ku dy meshkuj kosovarë janë arrestuar pas një përleshje fizike që shpërtheu pas një zënke.
Incidenti ka rezultuar në lëndime të lehta trupore për një nga të dyshuarit, i cili mori ndihmë mjekësore. Me vendim të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje për hetime të mëtejshme.
Edhe në Prishtinë u arrestuan dy të dyshuar pas një incidenti të ndodhur në rrugën “Bill Klinton”, ku një mosmarrëveshje trafiku përfundoi me sulm fizik ndaj dy viktimave.
Si pasojë, viktimat pësuan lëndime të lehta dhe morën trajtim mjekësor. Prokurori vendosi që njëri prej të dyshuarve të mbahej në arrest, ndërsa tjetri u lirua pas procedurave të rregullta.
Një ngjarje e ngjashme ka ndodhur në Shalë të Lipjanit, ku një mashkull kosovar ka pranuar trajtim mjekësor pas një sulmi fizik me mjet të fortë nga një person ende i paidentifikuar. Ky i fundit është shpallur në arrati, ndërsa hetimet për këtë rast vijojnë.
Për të gjitha ngjarjet, autoritetet kanë nisur hetime për të zbardhur rrethanat dhe për të marrë masa të tjera ligjore.