Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, pas veprimeve hetimore në bashkërendim me Prokurorinë e Shtetit dhe mbështetjen e njësive tjera relevante policore, ka kryer kontrolle në tri lokacione në Prishtinë që kanë rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar.
Dy shtetas turq dhe një i Maqedonisë së Veriut, dyshohet se kanë keqpërdorur kartela bankare të shtetasve të huaj dhe POS terminale të bankave vendore, duke kryer kështu veprën penale lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit.
Në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar POS terminale, kartela bankare, një kartelë bankare e modifikuar, para të gatshme, sasia e të cilave nuk është bërë e ditur, SIM kartela, vula me mbishkrime të bizneseve, kompjuter, telefona mobil dhe dokumente relevante fatura, kuponë fiskalë që ndërlidhen me veprën penale.
Me vendim të prokurorit kompetent, tre të dyshuarit ndalohen për 48 orë, derisa rasti ndodhet në proces të mëtutjeshëm hetimor.