Një rast i mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve është regjistruar në fshatin Gramaqel, Komuna e Deçanit, ku policia ka ndërmarrë veprime hetimore pas sigurimit të informatave për një person të dyshuar që mbante armë pa leje.
Burimet e medias brenda Policisë së Kosovës bëjnë me dije se më 20 shkurt 2025, rreth orës 10:20, hetuesit e Stacionit Policor në Deçan, bazuar në një informacion inteligjent dhe një foto ku i dyshuari shfaqej me armë, kanë ndërmarrë një bastisje në shtëpinë e Leonard Mushkolaj, 25-vjeçar.
Gjatë kontrollit në shtëpi, policia ka arritur të gjejë dhe të sekuestrojë armën, por i dyshuari nuk është gjetur në vendngjarje, pasi ndodhet jashtë Kosovës. Arma është dorëzuar nga babai i tij, Florin Mushkolaj, 57-vjeçar, i cili figuron si dëshmitar në rast.
Për këtë çështje është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që arma të sekuestrohet dhe të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.
Ndërkohë, i dyshuari është thirrur që të paraqitet në stacionin policor për t’u përballur me akuzat, ndërsa rasti është ende nën hetime.