Arrestohen dy persona për fajde në Prizren

Kronikë e zezë

Arrestohen dy persona për fajde në Prizren

Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 13:58
Foto ilustrim

Policia e Kosovës i ka arrestuar dy persona në Prizren të martën për veprat penale “fajde” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar të armëve”.

"Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se, pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Njësinë Rajonale të Policisë në Prizren, Drejtorinë për Krim të Organizuar dhe Njësinë NJSO, është realizuar kontroll në dy lokacione me ç’rast janë arrestuar dy të dyshuar D.G., dhe L.G., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331 par. 2, lidhur me par.1 lidhur me nenin 31, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)", njofton Prokuroria Themelore Prizren.

Të pandehurit e arrestuar, dyshohet se duke shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare të viktimës, të njëjtit i kanë dhënë të holla me kamata mujore prej 15% - 20%. I dëmtuari disa herë ka paguar kamata, dhe kur i njëjti nuk ka arritur që t’i paguaj kamatat mujore, të pandehurit i kanë vënë kamata javore, me ç’ rast si rezultat i kamatave të larta, kanë arritur vlera të pa përballueshme për viktimën.

"Kontrolli është realizuar në regjionin e Prizrenit, ku pas grumbullimit të provave gjatë aplikimit të masave të veçanta hetimore në terren, të pandehurit janë arrestuar. Gjatë këtij aksioni, Prokurori i Shtetit, ka sekuestruar dy (2) automjete, armë, të holla të gatshme dhe prova tjera materiale, në drejtim të veprës së lartëcekur. Të pandehurit e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor, për të njëjtit, prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit", njofton  Prokuroria Themelore Prizren.

Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat