Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është realizuar kontroll në dy lokacione me ç’rast janë arrestuar dy të dyshuar D.G., dhe L.G., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Fajdeja”.
Sipas komunikatës, të pandehurit e arrestuar, dyshohet se duke shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare të viktimës, të njëjtit i kanë dhënë të holla me kamata mujore prej 15% - 20%.
“I dëmtuari disa herë ka paguar kamata, dhe kur i njëjti nuk ka arritur që t’i paguaj kamatat mujore, të pandehurit i kanë vënë kamata javore, me ç’ rast si rezultat i kamatave të larta, kanë arritur vlera të pa përballueshme për viktimën. Kontrolli është realizuar në regjionin e Prizrenit, ku pas grumbullimit të provave gjatë aplikimit të masave të veçanta hetimore në terren, të pandehurit janë arrestuar.
Gjatë këtij aksioni, Prokurori i Shtetit, ka sekuestruar dy automjete, armë, të holla të gatshme dhe prova tjera materiale, në drejtim të veprës së lartëcekur. Të pandehurit e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor, për të njëjtit, prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit”, thuhet në komunikatë.