Prokuroria Themelore në Ferizaj ka caktuar nga një muaj paraburgim ndaj të dyshuarve me inicialet M.B., dhe M.B.,nga Bllaca e Maqedonisë së Veriut,-shtetas të Kosovës.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se ata të dy dyshohen për veprat penale “Kontrabandim me mallra dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Të njëjtit në veturën e tyre kishin të ngarkuara mallra të ndryshme- veshmbathje, dhe ishin munduar që t’i ikin zyrtarëve të policisë, ku edhe i kanë sulmuar zyrtarët policorë.
“Po ashtu, ekziston dyshimi i bazuar se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, në bashkëkryerje me dashje dhe me forcë kanë penguar personat zyrtar – zyrtarët policor në lidhje me detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që derisa personat zyrtarë ishin duke kryer detyrat e tyre në një pikë vëzhgimi afër vijës kufitare Republika e Kosovës për në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kanë vërejtur të pandehurit me veturën “VË Sharan” duke kaluar vijë kufitare, dhe i kanë sinjalizuar që të ndalen, mirëpo të njëjtit nisin veturën me vrull me qëllim për ta goditur zyrtarin policor A.Rr., që ishte jashtë veturës, i cili detyrohet që të përdorë armën e tij zyrtare në vetëmbrojtje, duke bërë që vetura të merr drejtim tjetër të ikjes, ashtu që zyrtarët i vihen pas në ndjekje dhe arrijnë që të ndalin veturën e të pandehurve. Mirëpo, të pandehurit gjatë arrestimit kanë rezistuar duke sulmuar zyrtarët policor, me ç’ rast tretman mjekësor për shkak të lëndimeve kanë marr zyrtarët A.R dhe Sh.M, me të cilën do të kryenin veprën penale në bashkëkryerje “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 401 paragrafi 5 lidhur me paragrafi 4 dhe 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Të pandehurit M.B., dhe M.B., që nga data 26 Shkurt 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartëcekura.