Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Kështu ndodhi së fundmi në Pejë, ku Policia arrestoi një grua, e cila dyshohet se pengoi dhe sulmoi zyrtarët policorë teksa ishin duke kryer realizimin e një urdhërese të gjykatës.
E dyshuara fillimisht kishte ofenduar policët dhe më pas ka marrë një thikë dhe e ka gjuajtur në drejtim të tyre.
Media ka mësuar se e dyshuara për këtë rast është S.Galani, rreth 55-vjeçar.
Përkundër veprimeve të saj, situata është vënë nën kontroll nga zyrtarët policorë dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Më pas, gruaja e dyshuar ka dhënë deklaratën e saj para hetuesve policorë.
Me vendim të prokurorit, ndaj saj është iniciuar hetimi për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.