Një rast i ngacmimit është raportuar në institucionet e drejtësisë.
Prokuroria në Ferizaj ka bërë të ditur për një rast të tmerrshëm që ndodhi në Shtime.
Atje një i dyshuar i ka vendosur GPS në veturë të dashurës, dhe të njëjtës i ka publikuar fotografi në Instagram duke shkruar kinse ajo ofron shërbime seksuale.
Për të njëjtin, Prokuroria ka kërkuar 30 ditë paraburgim.
“Sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2025, në komunën e Shtimes, i pandehuri me dashje dhe në vazhdimësi është përfshirë në sjellje të vëmendjes së padëshirueshme, duke e vënë nën vëzhgim me qëllim të ngacmimit të dëmtuarën V.Z., me të cilën ka qenë në lidhje dashurie, në atë mënyrë që në veturën e saj personale ka vendosur dy GPS për përcjellje të vendndodhjes dhe i ka hapur llogari në rrjetin social “Instagram”, në emër të dëmtuarës, duke postuar fotografi të ndryshme, me mbishkrime denigruese, dhe duke paraqitur se e njëjta ofron shërbime seksuale me pagesë, duke ia paraqitur edhe numrin e telefonit, dhe adresën e banimit, e që si rrjedhojë e këtyre veprimeve të dëmtuarën e ka vë nën shqetësim të madh emocional, me të cilën ka kryer veprën penale “Ngacmimi” nga neni 182 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
I pandehuri K.S.,që nga data 08 Mars 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.”