Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar dy persona si dhe ka konfiskuar armë e municion në komunën e Leposaviqit në veri të vendit.
Një rast kanosje është raportuar të dielën më 9 mars në Stacionin Policor në Leposaviq.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur në fshatin Vuçë ku një person është ankuar se është kanosur nga i dyshuari G.K 54 vjeç.
Pas kësaj, policia ka ndërmarrë veprime e nevojshme dhe gjatë kontrollit në shtëpinë e tij dhe të vëllait të tij R.K 52 vjeç, ka gjetur dhe sekuestruar armë dhe fishekë.
“Një pushkë me tytë të gjatë [karabinë], 126 fishekë të kalibrit 11.53 mm, 229 fishekë të kalibrit 7.62 mm, një bajonetë (thikë pushke) me gjatësi 37 cm, Një thikë me gjatësi 23 cm”.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor ku i dyshuari G.K në prezencën e avokatit ka ushtruar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë.
Ndërkaq, i dyshuari R.K. është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar si “Kanosje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Ky rast, sipas autoriteteve, mbetet nën hetime të mëtejme në Stacionin Policor Leposaviq