Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në rrahje, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ndodhi mëngjesin e sotëm te ‘Rrethi me Flamur’ në Prishtinë, ku disa persona janë rrahur për shkak të bllokimit të disa rrugëve në Prishtinë.
Rastin për Gazetën Sinjali e konfirmoi edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila njoftoi se si pasojë e përleshjes janë lënduar dy persona, të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor.
Njëri prej të lënduarve dhe një i dyshuar tjetër janë shoqëruar në stacion policor.
“Aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen. Sot rreth orës 09:30 është pranuar informata për një rrahje te rrethi i Flamurit në Prishtinë. Me të marrë informatën policia, ka dalë në vendin e ngjarjes nga ku jemi njoftuar se si pasojë e rrahjes dy persona janë lënduar dhe të njëjtit menjëherë kanë pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor. Lidhur me këtë rast policia ka shoqëruar në stacion policor dy persona (njëri prej të lënduarve).Aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen“, ka thënë Ahmeti.