Policia e Kosovës ka arrestuar sot në Prizren një 28-vjeçar të dyshuar për veprën penale të fajdesë.
Sipas njoftimit të policisë, i dyshuari E.K., ka kontraktuar një shumë të lartë jo proporcionale të pasurisë në këmbim të dhënies së borxhit, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës. Kamata mujore që ai kishte vendosur ka tejkaluar shumën prej 100,000 eurosh.
Gjatë operacionit policor, i cili është zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren dhe Drejtorinë e Krimit të Organizuar, është kontrolluar banesa e të dyshuarit dhe janë sekuestruar prova që ndërlidhen me rastin.
Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Hetimet po vazhdojnë nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren./