Një përleshje e dhunshme mes disa personave ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prizren, ku një person ka mbetur i lënduar rëndë dhe dy të dyshuar janë larguar nga vendngjarja.
Siç merr vesh media Policia ka pranuar një informacion për incidentin dhe ka dalë menjëherë në vendngjarje, ndërsa viktima është dërguar për trajtim mjekësor.
Të dy të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, por mëson Gazeta Sinjali se Policia ka arritur të lokalizojë automjetin e përdorur për arratisje, ku janë gjetur njolla gjaku.
Pas kontrolleve, Policia ka arritur të ndalojë njërin nga të dyshuarit, ndërsa tjetri vazhdon të jetë në arrati dhe Policia është në kërkim të tij.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të kapurit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të arrestuar të dyshuarin tjetër.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve dhe teknika kriminalistike, të cilat kanë mbledhur prova për të ndriçuar rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Rasti po hetohet si “Vrasje në tentativë”.