Muzgje që s’perëndojnë
GJUHA
Banon gjuha në ne
Banojmë ne në gjuhën.
Pejzat e saj kemi frymë,
Palcën e saj himn.
Banojmë ne në gjuhën
Banon gjuha në ne.
QAFA E MALIT
Bjeshkënaja kishte orakullin e vet,
nuk ishte një lis,
një ah, një pishë.
Ishte një njeri
që farën e qiellit
e kishte mbjellur në tokë
e farën e tokës në qiell.
SHKUMËSI
Shkruan mbi guva malesh prej epokës së gurit
Vizaton piktograme, gdhend petroglife -
Dërrasën e zezë e bën të bardhë.
Mësuesit, pluhuri i bie mbi çerpikë
Si frulliza e dëborës mbi pemë -
Shkumësi, miniera e parë e njeriut.
PËRROI I THATË
U tha prej lotëve të gjyshës sime
kur mbuloi nën dhé fëmijën e nëntë
të barkut të saj.
Atëbotë
legjenda e Ajkunës u zhbë.
MILLOSH KOPILIQ KRYEPREMI
Ia mora pushkën e gjatë nga dora
Boll me këtë “teshën” e çmendur krahaqafë.
Bëj paqe me veten...
Për tën’Zonë!
Tash je pa krye e s’të ka më kuptim lufta,
S’bën me qenë prap’ dashnor i pushkës!
Por Millosh Kopiliq Kryepremi
S’bësonte në mua...
SHESHI PARA KRYEMINISTRISË
Kemi lëshuar në këtë copë asfalt
Pëllumba që janë ngritur me përtesë në ajër.
Kemi qeshur në këtë shesh, kemi qarë,
Sa herë këtu na janë marrë mendtë!
Kemi ngadhënjyer në këtë bulevard!
Jemi fundosur si në një det të trazuar
Titaniku ynë sa herë është mbytur këtu!
Itakë ka qenë për ne ky shesh! Arenë…
Mekë, ky bulevard, pa vija të bardha.
Kanë ikur prej këtu zogjtë nga pemët
Janë strukur në shkrepa të lartë pikëllimi,
Në pritje të lirisë së këtij tempulli
Nga djajtë brenda nesh, marrë peng...
Ky shesh - loti ynë i ngrirë në sy
Prej plumbave që kemi lëshuar
Kur na janë mbaruar pëllumbat….
TELEFONI IM
Nuk i bie telefonit tim asnjë ministër, deputet
Asnjë njeri i fuqishëm, me poste, pará, pushtet,
E unë nuk dëshpërohem aspak
Për kacagjelët që më shohin nga lart!
Ata problemin e kanë me pasqyrën.
BOTA
Avionët kryqëzohen sipër tokës,
përshëndetën me fjalë diejsh e shirash -
bota është aq e madhe.
në qytetin tim kët’ të dielë vjeshte
nuk tepruar askush për të pirë kafe me mua -
bota është aq e vogël...
TRINIA E KOHËS
Ishte një kohë kur e lija prapa kohën
vraptar rinor drejt së panjohurës,
buzëqeshte ajo si një gjyshe e urtë
tek shihte hapat e mi agut me ngut.
Erdhi një kohë e mesme e nxehtë
tashmë ajo ishte bërë grua e unë burrë
ziheshim mesditës, cili të kalonte i pari,
as më hapte, as i hapja udhë.
Po troket një tjetër kohë tërmales
me fytyrën e një vashe vraptare,
përditë e më tepër më le prapa në muzg,
as e kuptova, as më kuptoi kurrë.
PIKTURA E NUMRAVE
Nuk ishin numrat për mua
në aritmetikën time, një plus një s’bëjnë kurrë dy!
Llogari pa logjikë, logjikë pa matematikë?...
I pikturoj numrat si zogjtë në hapësirë
si hapat e parë të fëmijës
si muzgje që s’perëndojnë.
Ju që rrotulloni botën si Galileu
e bashkë me të dhe mua, më ndjeni!...
S’isha nxënës i denjë për Euklidin, Pitagorën
Por zoti është gjithnjë bujar
për mua kishte krijuar
algjebrën e shpirtit…
KUFIRI
Piramida të bardha, lyer me gëlqere
Sakaq visheshin si gratë në zi!...
Vija e kufirit mblidhej si lak në qafë
Dhe binte, binte shi.
GJURMËT
Qysh se kali i Gjergjit të betejave
Kërceu nga maja e malit e ra në fushë
Gjurma e tij u ngul në dorën time si patkua...
Pëllëmbët e mia, si dy gjurmë kali.
REBUS LIRIK
ti shkon anës së tejme me veten
unë anës së këndejme me vetveten,
prandaj s’jemi një
s’jemi dy,
jemi ne…
LULEMOSPREK
Pylli fërshëllen melodinë e buzëve të saj,
hap një udhëz të kalojë
vasha e shtatë mrizeve,
e brishtë ... lulemosprek!
KOLEKSION
I dua koleksionet
e pikturave, pullave postare,
numizmatikës, makinave,
lodrave të fëmijëve -
me gjith’ madhështinë e topave
në kalanë e Gjirokastrës,
i vetmi që nuk dua,
koleksioni i armëve.