Tabloja e shpirtit

Kultura

Tabloja e shpirtit

Nga: Vjollca Aliu Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 13:48
Vjollca Aliu

Si një "piktore e verbër"
në këtë botë shumngjyrëshe,
pëlhurë e ngjyra më bëhen
zemrat, shpirtrat e njerëzve
nga të cilët
ngjyra krijoj me penel.
Sa më shumë miq,
aq më shumë dashuri,
e brusha ime
merr ngjyrë të kuqe.
E ndiej ngrohtësinë
e dashurisë së sinqertë
e prekem nga ajo e rreme,
ajo që lakadredhas ec,
dhe si në përhumbje
zhys brushën në ngjyrë portokalli.
E kuqja dhe e portokallta përzihen,
e zemra merr flakë zjarri
mbi liqenin me pulëbardha,
ku gërshetohen
e kaltra dhe e bardha.
Kur ma prekë shpirtin me butësi,
e kur nga goja të rrjedhë ëmbëlsi,
ndjeshmëria zhyt zemrën
në ngjyrën vjollcë,
e mbi pëlhurë
lulevjollca çel si pikturë.
Mes shkretëtirës kur frymon
e nga sytë rreze lëshon,
plot gjallëri
e gjelbra pëlhurën përfshinë,
dhe më del si zog në lëndinë.
Mbi pëlhurë me ngjyra shumë,
më shfaqesh ti
me sy nga unë,
ai shikim sikur ylber,
shpirtin e "brishtë"
befas ma merr.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat