PËRMBYS
Asgjë ishim.
Asgjë do të jemi,
Ëndërr e paprekshme,
e ndaluara e përjetshme!
Gdhendur zemrës,fjalët e pathëna,
Fshirë prej mendjes të thënat,
depërtuar rrezja e vështrimit virtuales,
përthithur realja prej syrit .
Veshur mister shpirtrat
e endur netëve pa hënë
në projektim e modelim ditësh me diell
në përzierje stinësh
Me vargje pikturë zërash hyjnorë
DIMËR
Qielli ngrin
e zogjtë e mardhur
dëgjohen tek-tuk.
Fushës së shkretë,
mbuluar me dëborë
nuk lëviz asgjë.
Drita e ftohtë e diellit
nuk ngroh më,
veç fal ca reflektime
mbi borën që shkrin,
dimrit që vret
e e bën erën të vajtojë fort
rreth skeleteve si fantazma
të drurëve të zhveshur,
Kur trishtimi fle përqafuar me tokën
e gjithçka shuhet njëherë e përgjithmonë.
ÇAST
Buzëmbrëmjes,
shushurijnë degët e pemëve
e errësira thith
Butësinë e zërave të zogjve
për t'i kthyer në jehonë
në agimin e ri të shpresave të mëdha...
QIELL GRI
Për ditët e munguara
flasin thinjat,
kurse për netët pa gjumë
alfabeti i rrudhave.
E argjendta ngjyrë shkruan kujtimet...
AJO
Disa i thonë narciste,
disa individualiste,
disa e përcaktojnë me vetvlerësim të ulët,
disa me thjeshtësi të tepruar,
por ajo është pak nga të gjitha
kombinim kompleks,e paparashikuar!
Shpërfill opinionet e të tjerëve
dhe vetë filozofinë e Shopenhaurit.
Qesh me faktin që njerëzit vlerësojnë
pa ua kërkuar vlerësimin
dhe bëjnë role që as ua kanë haberin fare.
Të jetë e burgosur vallë dhe kërkon lirinë personale
apo vuan nga egoizmi?!
Ndoshta është e çmendur
se ecën rrugës së saj e heshtur,vetëm,
pa ndihmën e askujt,pa përkrahje.
Duhet të jetë UFO
se realiteti e sheh si lëndë të ngurtë
ardhur nga ndonjë planet tjetër
që nuk hyn në asnjë lloj reaksioni shoqëror.
Po ajo sheh përtej shpirtrave,por askush nuk e beson.