Poeti është i zgjedhuri i Zotit dhe boshti kurrizor që e lidh qiellin me tokën. Pse? Sepse poeti është njëri nga të sakrifikuarit e mëdhenj që të njerëzimit që depërton në botën e hyjnive, sidomos lur është besnik ndaj gjuhës, ndaj vlerave shpirtërore të të parëve të tij, ndaj kombit, atdheut dhe besimit që ia kanë përcaktuar prindërit dhe historia. Njëri nga të zgjedhurit e këtillë të Zotit, është edhe kosovari i Skandinavisë, Zt. Remzi Basha, poet i lindur për dashuri dhe atdhedashuri. Në vargjet e tij defilon edhe vendlindja me gocat e katundit që na e përkujtojnë këngën: ”Lamtumir moj nanë, oj shoqet e mia, sot po ndahem, o nga vajzëria.”
Poezia është një lloj “arti” muzikor, një lloj kënge që ka gjini, melodi, ritëm, përjetim, ndjeshmëri, por edhe fuqi vullkanike të brendshme, e cila shpërthen për frymëzime të mirëfillta reale aktuale. Poetët janë ata që shpërthejnë dhe këndojnë për jetën, atdheun, prindërit e për motive të tjera. I tillë është Remzi Basha, poet dhe patriot, një ëndërrimtar që është nisur kaherë rrugës magjike të poezisë. Ai ka bërë hapat e guximshëm në hartimin e vargjeve me plot frymëzime poetike, patriotike dhe artistike. Vargjet e tij janë plot kumbim e gjallëri jete. Qysh në fillim të karierës së tij, Remziu botoi përmbledhjen e parë ”Zëri i Atdheut”, një vepër poetike e frymëzuar nga dashuria e madhe që ka poeti ndaj vendlindjes, ndaj Kosovës, ndaj Çamërisë dhe popullit shqiptar.
Më tepër kjo vepër poetike të lë përshtypjen e një vepre me tone e zjarrmie poetike, për ato frymëzime me motive të zjarrta atdhetare. Uni i tij poetik na bind se bota duhet të vetëdijesohet e të mos i mundëson askujt të krijojë monopol mbi emrin e dardanëve të lashtë, aq më pak t’u mundësohet të paidentifikuarve sllavajanë të tallen me fatin e kombit tonë. Në këtë libër të ri, poezia është një krijim fort intim, ku autori shpreh dashurinë e flaktë ndaj atdheut dhe të dashurës së tij. Këto përvëlime të zjarrta janë jo vetëm të kohës së rinisë së autorit, i cili, si shumë krijues të tjerë, të cilët e posedojnë këtë aspekt të poezisë, edhe Remziu e posedon dhe me një artikulim jo vetëm origjinal e intim, por mjaft të ndikuar nga realiteti, nga romantikët tanë dhe këngët popullore të dashurisë.
Lirikat e Remzi Bashës janë një model i artikulimit të një lloj idile të dashurisë rinore. Ky artikulimi i sinqertë i autorit të përkujton poezitë e Zef Serembes apo të Naimit, poetit të madh të Rilindjs sonë kombëtare. Aty gjen shprehje të rrralla poetike, shprehje që dalin nga thellësia e zemrës dhe gulçojnë për një puthje me plot afsh, apo, kur dy të rinjtë takohen dhe takimi i tyre është i zjarrtë, njëri-tjetrit disa fjalë ia thonë, si: „A të kujtohet sa të çmendur/ Ishim në valët e zjarrta/ Të dashurisë sonë magjike!/ Ngelëm të sodisim qiellin/ E të shohim yjet me rradhë./ Zemrat na u përvëluan/ E shpirti na u bë prush/ Pengesa mbetën/ Vetëm siluetat tona/ E ne ikëm që të dy/ Të lagur të bërë qull!”
Kjo është një bukuri e rrallë poetike. Krahas poezisë me motiv dashurie, Remzi Basha në veprën e tij ka të rradhitura edhe poezi të tjera me motive jo vetëm nga historia jonë e hershme shqiptare. Ai i kthehet të kaluarës sonë historike, ku, nëpërmjet figurave atdhetare dëshmon se është poet dhe patriot. Feminiteti në thjeshtësinë e saj mund të shpie drejt gjysmës së përsosur të asaj që don të thotë paritet i perfeksionimit, pa komplikime që s’e kanë vendin, por vetëm me cilësitë e domosdoshme të përjetimit në intenzitet të vazhdueshëm. Një element qenësor dhe jo me doemos komplementar. Këtu intervenon ajo gjëndje sublime të cilën në mënyrë karakteristike e definojmë poezinë si princip elementar i substancës dhe përjetimit.
Në plotninë e hapjes së hapësirave, duke vajtur nga nevoja e gjetjes së esencës, Remzi Basha vjen në mënyrë kategorike të justifikojë vlerat natyrore të asaj që ka arritur të fanitet gjithmonë dhe gjithandej: “Fjalët u ngjeshën në/ Dritën e verdhë të mbrëmjes/ Porsi rrahjet e zemrës/ E pyeta gruan që jeton/ Në zemër të padurimit/ Ku e vendosi llambën/ E gazit të gjyshes së saj/ Më tha se njeriu/ E merr ngjyrën e tokës/ Në momentin e fundit./ Uji godet majat e botës/ Derisa e dëgjon/ Se si merr frymë/ E ta kujton këngën/ Se gruaja është/ Balsami i jetës në hava/ Dhe shërbet për bakllava” (Bukuresht, 31 dhjetor 2020)
Remzi Basha dhe Lidhja Shqiptare në Botë
Edhe pse s’ka kaluar shumë kohë nga ajo ditë, kur shqiptarët nga e gjithë bota u mblodhën në sallën e madhe të kongreseve, emocionet dhe mbresat na ndjekin si në ditën e parë. Ishte me të vërtetë më shumë se një takim madhështor me vëllerëzit e një gjaku. Sa shkela në atë sallë, m’u duk se të gjithë ishim ulur rreth vatrës së ngrohtë e të përbashkët. Një dorë më ofron një libër. Një çast m’u duk sikur Kosova dhe Çamëria u ulën në dorën time. Dy gota kristali në një dorë poeti. Kush ishtë ky njeri? Ishte një vella nga Kosova a Çamëria. Ishte vëllau i gjakut tim, poeti kosovar Remzi Basha.
Nga gjuha e bukur që e fliste, e kuptova se ishte nga Kosova. Kush është Remzi Basha? Bir i Kosovës që ndiqej hap pas hapi nga hija e zezë serbe në vitet 90. Këta e detyruan që të largohet nga vendlindja e dashur për të emigruar në Suedi. Në këtë atdhe të dytë, Remziu vite me rradhë jep një kontribut të çmuar për çështjën e Kosovës. Edhe pse në mërgim, Kosovën e ka pranë, duke u bërë një mësimdhënës i gjuhës shqipe për shqiptarët.
Kjo figurë intelektuale do të përsoset më tej, kur Remziu bashkë me vëllezërit Kuzhnini bëhet nismëtar për themelimin e Lidhjes Shqiptare në Botë, në Skandinavi, duke qenë që nga thëmëlimi sekretar i saj. Remziu organizon grevën e urisë për shkak të të zhdukurve nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë, duke e sensibilizuar gjithë opinionin botëror për këtë problem madhor. Cili është misioni i Remziut në shërbim të kombit?
Do të ishtë bukur sikur te ky mision të merrnin pjesë të gjithë shqiptarët kudo në botë. Të bëhemi pak më të ndjeshëm ndaj çështjes kombëtare si ai. Tëk puna e Rëmziut shohim njeriun e denjë, intelektualin e zoti, që di të tërheq opinionin në mbarë globin. Secili nga ne do të kishte dëshirë ta njihte Remziun nga afër. Në këtë mënyrë, duke parë, duke folur për punën që bën për çështjn ë Kosovës, do të shihnim veten si përpara një pasqyre, atëhrë do të mundoheshim të punonim më shumë për këtë çështje.
Biri i Kosovës, edhe pse larg, tashmë me penën e tij shkruan për tokën Amë. Portat e krijimtarisë së tij janë të hapura. Kosova e Çamëria zgjojnë tek ai pasionin për të shkruar edhe më tej, jo drejt një të panjohure, por drejt një të njohure që kërkon zgidhje. Remziu gërmon data, fakte për fatet e kombit të tij. Remzi Basha është ndër ata shqiptarë që më pasionin e tij për artin, e shkrin në një edhe dashurinë për Kosovën. Me zërin e tij të ndjeshëm, të imponon natyrshëm merakun për pavarësinë e Kosovës.
Puna e tij prej kaq vitesh në Suedi, ka qënë e gërshetuar me ndihma për çështjen shqiptare kudo në botë. Vlerat e krijimtarisë së tij janë në rritje. Në ato vlera ai paraqet një popull të martirizuar. Dihet që Remziu bashkë më familjen e tij përcjell te vëllezërit e tij shqiptarë, njeriun model të vlerave kombëtare. Duke lexuar librin e tij “Kongresi i Parë Kombëtar 26-27 nëntor 2001, Prizren”, përjeton emocione të mëdha. Libri është përgatitur me shumë kujdës nga autori. Është një punë e një atdhetari që i digjet shpirti për Kosoven e tij.
Libri i Kongresit të parë, u morr përsipër nga vetë Remziu, s i një dëtyrë e çmuar për cështjen kombëtare. Autori punoi ditë e natë. Ai e quan privilegj të punosh për çështjen kombëtare. Përvoja e tij është ë shtrirë në mbarë botën, në çdo vatër shqiptare. Flet me pasion për vendlindjen e tij: ”Tani duhet bërë më shumë për Kosovën. Sikur të gjithë të vendosnim nga një gurë në themelet e tokës Amë, do të mund të ndërtonim kështjella”. Perspektiva i takon ghithë shqipatrëve të vërtetë. (Drita Braho, Berat, 28.01.2008)
KUJTIME ROMATIKE
A të kujtohet sa të çmendur
Ishim në valët e zjarrta
Të dashurisë sonë magjike!
Ngelëm të sodisim qiellin
E të shohim yjet me rradhë.
Zemrat na u përvëluan
E shpirti na u bë prush
Pengesa mbetën
Vetëm siluetat tona
E ne ikëm që të dy
Të lagur të bërë qull!
POEMË E NDRITUR
Frika u ul në bazën e botës
Për të pushuar pak
Mbi të disa milingona
Po i thyenin farat në kokë
Një e dy, shtatë e nëntë
Por vini re se si një fe
I doli nga veshi i djathtë
Me këmbë të gjata
Adhuruesit e mesëm
E adhuruan nga mesi
E adhuronin adhuruesit
Nga ana e majtë
Që edhe të adhuruarit
E adhuronin etjen
E pashuar për të pasur
Jo vetëm dashuri, por edhe
Shumë harmoni në botë...
ËNDËRR E PËRMBYSUR
Dashuria është ëndërr e trazuar
Një skelë mbi të cilën flemë
Dhe gjumi ynë ka
Dritare me pamje nga zogjtë.
Mos u lëkund nga flokët
E gruas së përkulur mbi ujë!
Një zog ka bërë folenë e tij në të
Për ta mbëltuar të nesërmen
Kur nuk di asgjë nga ato që di
Kur me sytë tu mbi trupa lexon
Pasqyrimin e tokës
Kur të huajtë thërrasin
Me emër të huaj...
KOLLITJE
Ke trokitur me gishtin
Në ujin e zi
Një zog i bardhë
Dremiste...
Hapi një ditë të ftohtë
Me një fustan të ftohtë
Me fytyrë të njollosur
Të kuptimit...
TABLLO ME TRYEZË
Rreth tryezës së bardhë
Lundronte një turmë jobesimtare
Shpërndante vetëm bukën e vdektarëve
Me gjuhë të prera që fluturonin prapa
Disa zëra të veshur me të zeza
Ekspozonin një fe të ditës së hënë
Po binte borë e imtë mbi të
Kafeja ishte bërë e fortë në gota
Dhe i vdekuri në tryezë ishte zhdukur...
TË SHENJTËRIT NË BAR
E vërteta kalonte nëpër turmë
Me urtësi dhe bosh
Por duart e tij aq të zeza nga bardhësia
Por duar aq të mëdha apo të vogla
Do të thoje se mban një vello mbi syt
Dhe ata e thirrën
Një luftë
Në mendjen e të çmendurit
Dhe ata u bërtitën hijeve
Që i dhanë fillim
Një fytyre tjetër
E veshur me armët e veta
Dhe ata bërtitën
Për të pastruar rrethinat
Vendosja e trupit paraprakisht
Derisa heshtja po lëshohej
Përmbi mbase...
DUKJET E DITËS
Vërtetë po ju them juve
Nga kjo dritë e verbër e dendur
Që e shkëputi zërin nga trupi
Dhe trupin ma ndau pjesë-pjesë
Sepse unë do të ngrihem
Dhe s’do të ketë pikëllim në zërin tim
Vetëm buzëqeshje e vdekje
Dhe vërtetësi
Nga ngërdheshja e qelqtë e ujqërve
Ku u shtriva për të fjetur
Sepse do të ngrihem pjesë-pjesë
Dhe nuk do të ketë pikëllim në ecjen time
Vetëm buzëqeshje dhe vdekje...
ZOTI
Dremiti në shtratin tonë
Aq sa ishte i gjatë
Dhe menjëherë
Disa tërmete
U mbuluan nga shiu
Nga nje dantellë e zezë
Të mbështjellë
I sugjerova të shkojë më tej
Por ai thjesht buzeqeshi...