Pendesa
Betejë e njohur
dashuria ime,
trazim ndjenjash
përhumbur ngjyrave
që vishen në të kaltërt
përcjellë kthjellimeve
paqes njeri.
Dhimbjen e mallit
dua ta shkul prej shpirtit,
ta mbjell në një pemë trotuarit
që sa herë të kaloj
të të shikoj ty
pamjen e syve
ndoshta dhe një pikë loti
imazhit të shfaqur pa zë.
Fluturon çasti,
asgjë nuk përsëritet
e të panjohurën e gjej
brenda shpirtit magjik të kohës.
Fjalë flatëruese
Dita kjo bijë nazike e kohës,
që lahet prej diellit
e vishet me xixat e arta të frymëve,
mban frerët e fateve njerëzore
që rendin të ngjiten malit të suksesit
në djegie brishtësie
për marrje force me rebelim
kur vjen mbrëmja
që kafshon perëndimin
e pagëzon natën me dritën e yjeve
kur gjithësia fle
e shpirtrat e bukur ushqehen me fjalën magjike.
Pështjellim mendimesh
Prej dëshirave të zjarrta rendim,
vrapojmë për nuk e di se ku.
Etja e hareshme e gëzimit na thahet në fyt.
Mbi mungesat që na flenë në sy
zënë fill rrënjët e mërzisë
që zgjatin lastarët e mallit
e gjethet i shtrijnë në diell
kur ditës largohen pritjet e zgjatura
kurse natës tkurren pështjellimet e mendimeve...