Në lartësinë e qiellit
të pash kah erdhe,
me krahët e thyer fluturoje,
e mbi shpinë bartje
barrën e kuçedrës.
Të pash kur zbrite
shtigjeve që t'i diktuan,
i humbur sorollateshe,
as dritë, as ditë
s'të lanë të shihje.
Humbe,
si t'mos ishe kurrë,
rrugës së humbur të futën,
e tash i humbur je,
i humbur do t'mbetesh...
Të pash dikur,
s'të shoh më,
as nga vjen,
as kah shkon.
Shko,
bashkë me kuçedrën!
Rrugëve të harresës
do të tretesh si kripa,
e rruga e njelmët
do t'i regj këmbët, mendjen,
shpirtin e athët.
Jetë e kripur,
rrugë e humbur të pret.
Të shoh
se si t'gjakosen buzët
nga fjalët vrerë,
të shoh kah vjen
si i humbur,
por unë s'të shoh më.
Eci fushave t'gjelbruara,
pi ujë të kthjelltë,
jetoj në qetësi
me të bukurën,
po shikoj bukuri
rrugës së lumturisë,
e nuk shikoj më
retë e zeza.
Përpos artit s'shoh më,
as fytyrat e vrenjtura,
as sjelljet e çoroditura.
S'dëgjoj më
zërat e çjerrur,
hungërimat...
Shoh vetëm bardhësi,
e dëgjoj të bukurën melodi.