Eureka!
Mos m'i trazo rrathët e mendimit,
se ti je flaka në sytë e mi të kristaltë
që djeg dëshirat,puthjet,
prekjet,përqafimet
e i përmbledh në një pikë si pasqyrë,
ndaj më thuaj ku të rri
dhe universin lëviz për ty!
PERMES MJEGULLËS
Dimër,
gri,
nuk fryn erë,
pa kuptuar rrëzohet koha
nga përsëritja e vazhdueshme
e ditë-netëve
me pamje të çuditshme
që pushtojnë pa vënë re,
por nuk ka këngë zogjsh,
veç një dritë e mugët
mbi realitetin e shpërfytyruar
prej dhimbjes
ku e pashprehshmja struket
labirinteve të zymta
me shikimin drejt asgjësë,
ku vetëm merimangat
thurin rrjetat e tyre
për gjueti naivësh
nën kuintetin melankolik të Shumanit
dhe çmenduri,
për pikëpyetjet e ekzistencës,
për qetësinë e pemëve,
për mugullimin e tokës,
për ripërtëritje të unit,
për përshkënditje të përjetësisë,
ku nuk humbet asgjë,
por veç kuptohen dobësitë e paaftësitë...
ILUZION VARËSIE
Tani ndihet
mpirje totale,
kllapi frike,
mungesë shtyse,
paaftësi lëvizjeje.
Ca mendime të errëta
çojnë shtigjeve të vjetra në parqe,
ku shpirtplagosurit nga fjalët
e kujtimet e trishta
ulen stolave
dhe për orë të tëra
vrojtojnë njerëzit e braktisur
e mbyten nga ligështia e pikëllimi
se e kaluara rëndon mbi shpatulla
e ikja e kohës nuk bën më përshtypje
mjafton të zhyten në thellësi shpirtërore,
në angështitë dëshpëruese
e të kuptojnë
se edhe dështimi ka vlerë
se përcakton si do të jenë
pas furtunave rrënuese
kur të shikojnë qiellin e kthjellët
si kërkues të etur të së pakufijshmes
se e dinë që kur shpreson shumë
edhe do të zhgënjehesh...