Letërsia shqipe, veç zhanresh të ndryshme, shquhet edhe për perla poetike elegjish, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme te breza të tërë lexuesish, siç janë p.sh’’ Vaje’’ e Çajupit, ku poeti rilindës i vargëzon me nota të theksuara elegjiake bashkëshortes së tij, Evgjenisë, e cila ndërron jetë gjatë lindjes së të birit, Stefanit. Janë të bukura pastaj elegjitë e Nolit, kushtuar bashkëluftëtarëve të tij dhe tribunëve të kombit, Luigj Gurakuqi e Bajram Curri (‘’ Syrgjyn vdekur’’,’’Shpellë e Dragobisë’’).
Me nota elegjike, krejt e veçantë njihet edhe përmbledhja poetike’’Lum Lumi’’ e poetit të shquar Ali Podrimja, përkushtim për të birin, që ia mori vdekja e pamëshirshme para kohe, sikurse edhe një vëllim poetik i autores Mejreme Shala-Balaj, një nënë deçanase, e cila do t’i thurë vargje elegjike të birit të saj dëshmor, Blerim Avdi Balajt, i rënë në fushë të nderit, gjatë luftës së UÇK-së.
Vëllimi poetik ’’Me laps në dorë’’ i poetit Zymer Mehani është krijim letrar krejt i veçantë nga elegjitë e tjera, që u përmendën më lart, ngase këtu, poeti-mik që nga mosha krejt e re, i thur vargje dhembjeje dhe krenarie bashkëfshatarit, kolegut e mikut të kahershëm -Bedri Raçit, pishtarit të dritës, që me dekada edukoi dhe arsimoi një armatë të tërë nxënësish llapjanë.
Autori Zymer Mehani librin e hap me poezinë hyrëse’’ Me laps në dorë’’, ku thotë:
’’Vijnë e ikin motet
Prore ato ndërrohen
Me lapsin në dorë
Mësuesi matë kohën
Ditët s’ndalen, rendin
dhe ikin me radhë
udhëtojnë pa u lodhur
Pas duke lënë mall
Këndoje këtë këngë,
O njeri i madh!’’
E pra, kësofare, poeti Mehani e mund dhembjen për mikun e mësuesin Bedri Raçi me krenari, që i shkon për shtati karakterit të tij si burrë i burrëruar në familjen tipike shqiptare.
Krijimtaria letrare e Zymer Mehanit, kaherë pati zgjuar interesime kahesh të ndryshme prandaj me kalimin e kohës erdhi e u përsos, duke u bërë si e tillë shembull i mirë në nivelin mbarëkombëtar të vlerave artistike. Si poet, Mehani shquhet me shprehje krijuese origjinale në letrat shqipe, ngase kultura e tij e gjerë letrare nga njëra anë dhe përjetimet e tij prej artisti, e të gjitha këto copëza u integruan në një tërësi duke na e shfaqur një figurë krejt të veçantë, si përnga stili, po ashtu edhe përnga shprehjet dhe figuracioni poetik.
Nga Vargjet e poezive për mikun dhe mësuesin Bedri Raçi, nga pena e poetit Z. Mehani buron madhështia e sacrificës për brezin e ri ( për fëmijët nxënës ), si realizim artistik, që është një perlë e mrekullueshme, dedikuar kujtimit për mikun e tij të madh, të cilin e mori vdekja e parakohshme. Por ja që jeta s’na pyetka fare!...
Mehani i vargëzon mikut dhe mësuesit Bedri Raçi vargje elegjiake dhe e kujton atë me krenari, duke mos e shndërruar poezinë në deklaratë të thatë poetike, ngase e ruan edhe vetë formën, por edhe përmbajtjen si elemente të structures së poezisë së tij.
Poetit Mehani i urojmë suksese të reja!
Zoti e bekoftë mikun e penës!...