Fort më ka marr malli me të pa
me të marr ngryk e me të thënë:
- Ç’presje ike ti
poshtë ka rënë katundi
e dheu po na rrëshqet nën këmbë
i shqyer qielli
po na ngushtohet mbi krye.
Ti ike dhe ne e harruam Zotin
shoqi-shokun dhëmbë po e kafshojmë
po na tepron liria
si cjapi te kasapi shkojmë
o Mesi -
të veshur me ehuj të zi
gjithë zhgjyri i vilajetit
ka vërshuar në sarajet e mbretit
ulërijmë e byryten si të trentë
u kanë hipur ujqve
e qentë po i ndjellim!
As dreqi se merr vesh çka duam
e ku po shkojmë...
O shpirti i shenjtë i Dardanisë,
vëlla Ibrahim - lutu për ne!