Duke shfletuar librin më të ri të Remzi Bashës (Zemërzana e Dashurisë), konstatojmë se poezia është gjuha përmes së cilës njeriu eksploron mahnitjen e vet. Kjo mahnitje shfaqet kur emocioni e ka gjetur mendimin e vet dhe i ka zbuluar fjalët e veta. Poezia e Remziut është arti i nusërimit të fjalës me fjalë dhe arti i kënaqësisë me jetën dhe të vërtetën. Shkenca është për ata që mësojnë, poezia është për ata që dinë. Detyra e poezisë është të pastrojë realitetin e fshehur nga fjalët tona duke krijuar hapësira heshtjeje rreth gjërave.
Poeti e shikon botën ashtu si një burrë që e shikon një grua. Poetët janë gjykatësit e panjohur të botës. Autori i kësaj vepre dëshmon se është një poet i vërtetë dhe mbret i ndjeshmërisë. Poezia e tij është një pasqyrë që zbukuron gjithçka që krijohet përmes shpirtit të fjalëve dhe komoditetit të shpirtit. Dashuria është një dëshirë e zjarrtë dhe një nga temat elementare të poetëve.
Poezia është një shpirt i butë, një qenie e re, e bukur, e brishtë dhe inteligjente. Poezia e Remzi Bashës bie nga qielli me qartësi, me saktësi, në mënyrë koncize dhe të thellë. Në çdo organizëm ekzistojnë tre parime: forma, forca dhe shpirti. Fitoret e mëdha fitohen jo vetëm nga morali dhe trimëria, por edhe nga poezia. Ja njëra nga lirikat më të inspiruara të poetit të dashurisë: Në shpatin me lule/ Dielli u lodh të ngjitet./ Vetëm këmbët e sorkadheve/ Përshkojnë rrugicën./ Nga pragu i pyllit/ Burimi po zbret/ Duke i ndarë brigjet./ Fjalë dhe emra/ Vasha që e sjellin/ Bukën e jetës/ Krijojnë ringjallje… (Shpati i përmallimit).
Poezia është lëngu i jetës dhe mjalta e fjalëve. Poeti krijon një dialog permanent dhe të mrekullueshëm me vetëveten, me botën dhe me njerëzit. Me prezencën e poezisë në shpirtin e tij, poeti kurrë nuk ndjehet i vetmuar. Poezia është testamenti i jetës, ndërsa bota kuptohet më së miri përmes shpirtit të poetit. Poezia është dimensioni më i pastër që e posedon qenja njerëzore.
Vëllimi respektiv është një kontribut i veçantë që reflekton meditimet e një poeti të talentuar të mërgatës shqiptare. Remzi Basha e ka krijuar profilin e tij të veçantë letrar. Njeriu ka nevojë permanente për poezi, siç qielli ka nevojë për yje, siç pyjet kanë nevojë për pemë, siç bimët kanë nevojë për ujë, siç trupi ka nevojë për ushqim, siç mushkëritë kanë nevojë për ajër dhe siç syri ka nevojë për dritë.
Poezia është një arti i pakufishëm. Fjalët e vërteta e ledhatojnë dhimbjen dhe errësirën brenda nesh. Buka është fjalë, drita është fjalë, urrejtja dhe errësira janë fjalë. Fjalë që shërohen dhe fjalë që vrasin, fjalë që ndriçojnë dhe fjalë që errësohen. Nevoja për të folur është një nga nevojat më të nxehta dhe më të domosdoshme të njeriut, së bashku me nevojën për ushqim, për veshje, për dashuri, për vërtetësi dhe për drejtësi. Për një poet, nevoja për të thënë fjalë është si nevoja për të marrë frymë. Autori vjen para nesh me ndjenja dhe ide. Ai i përdor me kujdes fjalët që e ndihmojnë të shprehet, gjithmonë duke pasur diçka për të thënë.
Autori ndjen dhe sheh bukurinë aty ku askush nuk e vëren. Fjalët kanë fuqinë t’i japin jetë një universi të pafund. Ato mund të sjellin në jetë një regjistër të pafund të ideve dhe ndjenjave. Mendimet e Remziut janë flutura të metamorfizuara në mendime. Të gjitha këto shndërrime e përshkruajnë një profil lirik origjinal. Nga vargjet e tij ndjejmë tingujt e psherëtimave tona.
Poezia e Remzi Bashës është e ngarkuar me një imazh specifik, i cili shpreh jo vetëm ide, por edhe tema shpesh befasuese. Zbulimet filozofike janë gjithmonë të veshura me marrëdhëniet e thjeshta të jetës së përditshme. Autori ka guximin të flasë të vërteta, të rikrijojë jetën nga fragmentet e ëndrrave dhe mistereve.
Remziu nuk është poet i ashpërsisë rebele të gjendjeve të ndërgjegjes, të dinamikës së rrëfimit, duke tërhequr vëmendjen e lexuesit, të cilin ai e fton në meditim dhe në rikrijim të shpirtit: Të jetosh një jetë të tërë/ Duke shkruar brigjeve të gazetës/ Mijëra vargje/ Pa e ditur se je poet!/ Të jetosh një jetë të tërë/ Duke dashur njëqind femra/ Dhe vetëm njërën duke e zgjedhur/ Pa e ditur se je/ Mbret i Besnikërisë! (Mbret i besnikërisë)
Remzi Basha është arkitekti që riorganizon poetikisht botën, sipas shpirtit të tij kaq të thellë dhe misterioz. Autori rigjen një rrugë për të thënë atë që askush nuk e ka thënë mëparë. Autori i kësaj vepre posedfon forcën për të njohur përjetësinë e poezisë. Bukuria hyjnore në poezi zgjon shqisat e fjetura. Vargu i Remziut na i mbush shpirtrat me ndjenja të bukura. (Bukuresht, 25 janar 2021)
TOKË E SHENJTË E SHQIPTARISË
Oj Kosovë moj Nëna jonë
Ikonë të kemi përgjidhmonë
Tokë e moçme e shqiptarisë
As nuk shitesh as nuk blihesh
O ju bijtë e Kosovës
O ju trima të Rugovës
Kudo jeni nëpër botë
Të bashkuar rreth flamurit
Mos të preket nga armiku
Asnjë pëllëmbë tokë
Bes-bes si biri nënën
Do ta mbrojmë këtë tokë
Le ta dijë gjithë shkinia
Se s’dorëzohet shqiptaria
Se shqiptarët kanë për zot
Besë, trimëri e plot barot
Këtu i kemi varret tona
Dhe dëshmorët këtu i kemi
I kemi vatrat dhe shtëpitë
Familjet tona dhe dashuritë
Ilirida do të mbetet përjetë
Tokë shqiptare e vërtetë
Çamëria e Dardanisë
Dhe Dardania e Çamërisë
Taka t’shejta t’shqiptarisë…
DITA E AFËRDITËS
Gëzuar ditëlindjen e dashur
Me shumë buzëqeshje në fytyrë
Kudo në botën e gjerë
Ma bëre jetën më të mirë!
Gëzuar ditëlindjen të uroj
Se gjithmonë të dashuroj
Je në rrugën e natyrshme
Gjithmonë do të të dua
Në mënyry të ndryshme!
Dashuria nuk njeh kufi
Gëzuar ditëlindjen po të them
Dhe të uroj në këtë jetë
Shëndet të mbarë e lumturi!
Gëzohu në pragun e shtëpisë
Se je zanë e bukur e gjithësisë
Dhurata ime je model i prekur
Qershitë në pemishte janë pjekur
Dhe zëri i bylbylit kumbon në agim
Të kam zanë e më ke trim!
Sot më dukesh si mrekulli
E lindur vetëm për dashuri!
Unë kurrë s’do të të harroj
Puthje të ëmbla do të të dhuroj!
Je adhurimi im i përjetshëm
Më bërë edhe mua të shëndetshëm!
Në pranverat tua do të rritem
Je një lule që e pushton kopshtin
Në buzëqeshjen tënde lind drita
Muza ime quhet Afërdita...
LINDJE DASHURIE
Puthmë ngadalë
Më the kur u njohëm
Në një cep të lamës
Nën rrezet e Hanës
Kur takimi i parë
E bekoi dashurinë tonë
Me një lutje të mbarë
Për lumturim
Dhe kurorëzim...
Më thuaj pa ndruajtje
Se më dashuron
Më the kur u njohëm
Në një cep të lëndinës
Ku kundërmonin
Lulet e kajsisë
Dhe lulet e pjeshkës
Atje prej nga dukej
Zemra e zabelit
Dhe maja e bjeshkës…
Eja me mua më the
Po të presë me padurim
Të ma shuash
Etjen për dashuri
Ti o shpirti im!
FERRI I RRUGËS PËR NË PARAJSË
Po vajtojmë
Për shembjen e dheut
Në humnerë
Për ferrin e njerëzve
Për hapat e tij
Dhe për hulumtimet e tij
Pa u trembur prej Zotit.
Çfarë mallkimi është ai që bie
Mbi ty kur i ofron
Pikë për pikë
Hijeshinë tënde të ëmbël
Kujtdoqoftë, kurdoqoftë
Kudoqoftë
Ç'po të pyes
E ç'po më përgjigjesh
Ndaj atij që është poshtë
Dhe ndaj atij që është lart?
Cfarë ironie është ajo
Qe ta mund shpirtin kur vajton
Se s'ke edhepse ke
Se s'di edhepse di
Se ua ndan të gjallëve
Atë qe të vdekurit s' e kishin.
Madje edhe mendimi yt
Duket se s'është tjetër
Veçse një shije që s’të shet…
ÇAPKËNJA
Si puhizë je e lehtë
Porsi shije e përkundur
Në krahëror të një zonjushe.
Je përherë si asnjëherë
Asnjëherë s'e din se kurrë
Porsi zockë e vjedhur je
Nga erërat përmbi dhe.
Dhe je flatra që në qiej
Lë pas gjurmave një rresht
Nga poema që flatron…
MALLKIM PERMALLIMI
Gjithfarë ëndrrash
Të shkruara e të pashkruara
Kalojnë nëpër kantjerin tim të fjalëve:
Një turmë yjesh, njëmijë mendime
Një përmallim i vetëtishëm i ndjenjave
Dhe stoli të tjera të imta:
Letra, fitore, zhgënjime
Deti apo ylli
Që i është nënshtruar territ.
Për atë të shkruaj ditë pëtr ditë
Nga një rradhë
Për të ta bërë të ditur
Se ditët e mia po shkojnë
Si një mallkim përmallimi
Që më mëson
Të të pres përherë…
MBRET I BESNIKËRISË
Të jetosh një jetë të tërë
Duke shkruar brigjeve të gazetës
Mijëra vargje
Pa e ditur se je poet!
Të jetosh një jetë të tërë
Duke dashur njëqind femra
Dhe vetëm njërën duke e zgjedhur
Pa e ditur se je
Mbret i Besnikërisë!
Të sakrifikosh një jetë të tërë
Duke rendur, duke u përpjekur
Duke grumbulluar e humbur pasuri
Duke u shkrire
Për kombin tënd
Pa e ditur se je patriot!
Ç'janë të gjitrha këto?
Mos është vallë Poezia
Një gjendje e vuajtjes së përjetshme
Apo flatra e engjëllit
Që të çik nganjëherë?
Dashuria apo Fuqia
Mos janë vallë
Ato që të bëjnë fitimtar?