Vetmuar, molisur
në këtë tavernë boshe,
kotem, dergj, m’ftohet kafeja.
Veshët m’i gric
zëri i mbytur i zogut t’mëngjesit.
Rrënkon a vjell
ky mëngjes i thinjur?...
Cigareja m’digjet, m’harxhohet.
Akoma s’më hiqet mendsh,
bilbili i ngrirë,
bilbili mavi i dimrit t’ëndrrës.
I ftohtë, zhgënjyes ky mëngjes,
e tutje bulevardit,
një lypës i leckur
fatin e keq ndjek.
Një qenush i zgjebur,
lëkurën heq,
e nis e pëshurr
mbi lëkurën e vet.
S’ma shohin dot sytë mëngjesin,
s’ma shohin dot sytë lypësin,
s’ma shohin dot sytë qenushin!
Kokën ul unë, hap celularin.
Hap një fletë boshe n’word.
E kundroj boshësinë e faqes
që ia mbështjell virgjërinë ekranit,
e ndjej rrënkimin e kësaj zemre t’fikur,
dhe mërmëris më vete:
Jam zog i territ!
Jam një fletë boshe
në librin e begatë t’dritës!...