Sa dua të jem me ju kur zbardh agu
Atje në kullën e vjetër prej guri
I veshur me tirq me kollona para një pragu
Me shokën e lidhur në brez të një burri.
Mbi kokë ta mbaj plisin
Cigarllukat t’i ndezim në oxhak
Me mashë e me gaca prushi.
Të ndezim këngën në konak.
Sot dua te jem atje ku zien oda
Me ju në vendlindjen e bekuar.
Ta këndojmë për etrimat që rriti toka
Me katër a pesë breza të shoqëruar.
Dua të jem rreth prushnajës të ndezur
Të gjerbojmë kafen me duhan
Kohën ta rrotojmë si burra mustakëkërleshur
E vallen ta hedhim deri në tavan.
Sot dua me ju të isha
Ne sheshin e Broliqit te Mulliri i Vjetër
Me ju, o bashkëfshatarët e mi
Të mençur trima e bujarë e të besës
Të përkulemi para dëshmorëve për liri.
Të Kujtojmë Sali Çekun, Ekrem Lulaj, Nysret Shalën
Tre shaljanët nderi i fshatit
Dritëhija e Kombit në përjetësi.