Ku nuk shkon mendja sot ?!
Si çdo ditë dimri
Trupi rri i ndrydhur, veç dhimbja lëviz
Lart, poshtë e anasjelltas
Si e mbajnë këmbët peshën e shkërmoqur
Kur stinë e acartë çdo herë provokon
Trupi mbështillet lëmsh si bletët në koshere
Para se t’i dorëzohen vdekjes
Pa tërhequr njëra tjetrën për dysheme
Nuk duan dhimbje të shkaktojnë
As për varrosje askënd nuk e trazojnë....
Ku nuk shkon mendja sot
Kur vërej gjithë këtë fërfëllizë
Xhamat e dritareve drithërojnë, ushtojnë
E mendja më ikën tek njerëzit e infektuar
Që me covid në mushkëri vdekjen luftojnë
Duke shikuar motin që ulërin trishtueshëm
Më lagështohen sytë mërzitshëm
Nuk di te ku fle acari
Në shpinë të atyre me vdekje të ngrirë
Apo në shpirtin tim nga vdekjet i mërdhirë?!...
Gjakovë, Janar,2021
ËNDRRAT QË MË SHQETESOJNË
Ka kohë që nuk flë ,natën assesi
Ka vite që më trishtojnë vetëtimat natën
Më ngacmojnë shkreptimat e flakës
Kur shalojnë durimin tim hijeve të natës
Figura të ndryshme njerëzish të çoroditur
Duan edhe trupin të më kafshojnë
Si hijena tinëz futen në dhomë
Vallëzojnë me thika e armë në dorë
I stepur mbështillem në plafin tim me cukla
Gëzohem kur ikin e ndihem i gjallë
Si një grumbull thneglash livadheve të thara
Skrupull bëhem, zvogëlohem nga frika
Sa i shqetësuar brenda kulmit të shtëpisë
Nga mysafir të paftuar në dhomën time
I strukur, i heshtur ,pa gjumë me vite
Mbështjellë në vuajtjen time stoike.
XX
Kur moti ndryshon ,vetëm qelat kruajnë kokën
Thoshin moti e kuptimin kurrë nuk e mësova
Psenë e ëndrrave të trishta ,as fatin tim
Ndërrova vend si hajdut, ika rrugëve të botës
Kërkova ndihmë nga miqtë
Shko në filan vend, është Pallati i Ëndrrave, më thanë
Ec, e ec, e ec, pastaj iu gëzova
Rrugëtimit të gjatë, plot shpresë
Në dhomën e deshifrimeve u ngjall besimi
Triumf quaje veten, më folën, jeta buzëqesh
Pallati punon pa ndalë, njeh gjitha sekretet
Tani fli i qetë, ikën ato tmerre
Dielli me rreze ngroh
Lotët e gëzimit kokrrojnë kohën
Paragjykimeve...
Gjakovë,Janar,2021
HARTË NGA LOTËT E NGRIRË
Ai kishte dalë nga shtëpia për bukën e gojës
Në stacionin e trenave
Diku në një qytet të Evropës
Larg, shumë larg vendlindjes
E kishte mbërthyer mjegulla e natës
Dridhej, dhëmbët i kërcisnin nga frika
Sirenë tremash binarëve të çaraveshur
Lokomotivat nxjerrin tym të zi
E thithte një i humbur skajeve të botës
Mbështetur në një shtyllë të pikëlluar betoni
Synimet të pa adresuara....
Pa bukë në strajcën e tij
Flinte karrikeve në park i vetmuar
Hante atë që ia falnin të tjerët
Pastaj lotët i pikonin trotuareve
Si një sëmundje kronike bebëzave të lodhura
Nga ata lot që pikonin pistave të jetës
Ku formësoheshin hartat e zemrës së djegur
Në mijëra kahe rrugësh të pasosura akullnajave
Si ngjyra të zbehta në gjakun e mallit
Në kujtime digjeshin hallet e tij, shkrumbnajës
Rrugëve të botës, pa shtëpi, pa shpresë...
Sprova të rënda të jetës patëm nëpër kohë
E kush do na e thotë fundin e eksodeve
Fundin e vuajtjeve në këtë shekull të ri
Apoteozë!.....
MOS QAJË ME ZË....
Kur ke dhimbje fort
Duro sa e ban ashti
Mos qaj me zë
Vaji i ngjan këngës
Kënga me vaj përzier
Pastaj njerëzit të nemisin,
Të thonë:
“ Këndofsh gjithmonë !....”