Apofonia është proces i vjetër fonetik e morfologjik. Është formuar me ndryshimin e zanores së temës së fjalës: e kthimit të: e-së > o, je > o dhe a > o.
Është vërtetuar në fushën e foljeve, në veçanti te disa folje në të kryerën e thjeshtë:
- e > o: bredh > brodha, dredh > drodha, hedh > hodha, heq > hoqa etj.
- je > o: mbjell > mbolla, vjel > vola, nxjerr > nxora, ndjek > ndoqa, sjell > solla etj.
- a > o: marr > mora, dal > dola etj.
Disa folje të ashtuquajtura apofonike gjatë zgjedhimit të tyre zanoren: e (ose je) e kthejnë në: i: hidhem (hidhja), hiqem (hiqja); sillet (sillja), ndiqet (ndiqja) etj.
• Metafonia quhet ndërrimi i zanores a > e dhe e > i.
Dukurinë e metafonisë e ndeshim tek emrat dhe te foljet. Në sistemin emëror metafoni kemi te shumësi i disa emrave. P.sh., ndërrimi:
- a > e: natë - net, asht - eshtra, dash - desh;
- e > i: shteg - shtigje, breg - brigje.
Në sistemin foljor metafoninë e gjejmë te disa folje të vetës së dytë dhe të tretë njëjës të kohës së tashme të mënyrës dëftore: trokas - troket, thërras - thërret, bërtas - bërtet etj.
Këmbimin: e > i e ndeshim te foljet në vetën e dytë shumës të kohës së tashme të dëftores dhe te disa folje në urdhërore. P.sh.:
ndez - ndizni - ndiz, del - dilni - dil.
• Qiellzorëzimi (palatalizimi)
Këmbimi (alternimi) i bashkëtingëlloreve të ndryshme në qiellzore (mesgjuhore, palatale) quhet qiellzorëzim (palatalizim) latinisht: palatum = qiellzë.
Tingujt që palatalizohen (kur edhe formohet shumësi i disa emrave) në gjuhën shqipe janë:
1. k > q: ujk - ujq, mik - miq, plak - pleq, bujk - bujq; ose te foljet: pjek - poqa, ndjek - ndoqa etj.;
2. g > gj: zog - zogj, murg - murgj, varg - vargje; te foljet: djeg - dogja;
3. ll > j: ishull - ishuj, shembull - shembuj, shekull - shekuj;
4. l > j: muskul - muskuj;
5. r > j - e ndeshim te një numër i kufizuar emrash: lepur - lepuj, flamur - flamuj.