Megjithëse, sipas ndarjes kalendarike në muaj dhe të vitit në stinë, jemi akoma në dimër, përjashto një javë të rrallë të dëborës, ka shume ditë të këtij dimri që duken si pranverë, të paktën sipas konceptit që kemi ne për pranverën. Ne ndarjen e vitit në stinë e marrim të mirëqenë dhe të padiskutueshëm, sikur t’i korrespondonte vërtetë ndryshimeve kozmike, por në fakt, natyrshëm, kjo ndarje nuk korrespondon me solsticin dhe ekuinokset, sepse ka dhe faktorë të tjerë që ndikojnë tek ndryshimet atmosferike që përbëjnë kriterin kryesor të ndarjes së vitit në stinë.
Ne e marrim pak a shumë të mirëqenë këtë ndarje, por sa e sa herë proceset atmosferikë venë në dyshim ndarjen tonë stinore? Ndodh që bie shi në dimër dhe nuk bie në vjeshtë e pranverë; ndodh që shumë ditë në vjeshtë dhe pranverë janë më të ftohta se në dimër, gjithashtu, ndodh që nuk bie borë në dimër, por bie në pranverë, natyrisht në varësi të zonave, lartësive mbi nivelin e detit etj. Të gjitha këto i marrim thjeshtë si kapriço të motit, por shikuar me kujdes çështja është më komplekse e ka të bëjë me mënyrën se si procedon zhvillimi i proceseve të natyrës e, natyrisht, qeniet e gjalla do t’i përshtaten këtyre proceseve.
Njeriu është i destinuar të ndaj natyrën me gjallesa të tjera si bimët, insektet, shpendët etj., por ka privilegjin të vështrojë sjelljet e tyre në varësi të ndryshimit të kushteve në të cilat jetojnë. Lind pyetja, çfarë janë “stinët” për këto forma të tjera jete? Natyrisht ato nuk marrin parasysh ndarjen tonë stinore e tashmë po përjetojnë “pranverën” e tyre. Konkretisht ka më tepër se një muaj që mimozat dhe disa pemë të tjera kanë lulëzuar e për rrjedhojë bletët gumëzhijnë rreth tyre e lehtësisht mund të shikohet ndryshimi me vitet tjerë. Kush është marrë sado pak me filozofi kujton se këtë çështje, natyrisht në mënyra të ndryshme, e kanë trajtuar dhe filozofët. Kur flitet për këtë çështje, nuk mund të rrihet pa folur për filozofin e shquar skocez David Hume (Edimburg, 1711 – 1776), i cili, për shpjegimin e botës, preferon të ndjekë rrugën e empiristëve. Sipas tij, rregulli dukshëm dhe kursi uniform i natyrës bazohet vetëm tek eksperienca e shkuar e njeriut.
Pra, ngjarjet kanë ndodhur dhe janë përsëritur në mënyrë pak a shumë të rregullt në të shkuarën dhe ne mendojmë se do të vijojnë kështu me këtë rregullsi. Por, sipas këtij filozofi skocez, nuk ka kurrfarë garancie se e ardhmja do të jetë njëlloj si e shkuara dhe se ky rregull do vijojë ashtu si na “leverdis” ne ta presim. Për D. Hume, identiteti i gjërave, rregulli dhe vijimësia e proceseve, më shumë se në natyrë, gjenden ne mendjen e njeriut. Nga sa na mëson ky filozof i shquar dhe nga çfarë po shohim këtë vit arrijmë në përfundimin se jo gjithmonë stina stinës i ngjanë.