Ecja rrugicave të malit ,me pisha të larta
Fluturonin mendimet rruzullit të tokës
Bluante mulliri i erërave të gjitha ujemet
Pastaj bohçet e varura rëndonin
Si koha e ikur rrëpirave të mallimit
E një shkop dore shponte tokën e pafajshme
Shikim zhbirues ne thellësi prekte damarët
Sikur të kërkonte thesaret e humbura të mbretërive
Rrënjëve të dala si asht’ i humbur nëpër kohë
Fshehur moti, në një kohë te ikur si zogu
Kur plakut i kishte humbur gurë e unur
E buzëve shkrumbi thithte rreshka, tym duhani
Si mall i pjekur gishtave ngjyrë kafeje....
Një shami valëvitej nga puhizë e lehtë
Shtrënguar kraharorit të një pishe trupdrejtë
Nuk ishte e humbur, e harruar kishte mbetur
Ishte relikt i një zjarri, një moshe të ndezur flakë
Akoma i vinte erë dashuri, erë molle e ruajtur
Mbështjellë në një ble bistaku, lozte avash ritmin
Si flamurë i jetës rinore ku rrahën erërat
Valvitej damarëve si përshëndetje e fundit
Psherëtimat kalamenden sygjumave të verës.
Në shami mbështolla kujtimet e hirta si këngën.....
Po e pres kohën e dhimbjes
Të çuditshme janë dhimbjet, të çmendura
Pa orar të caktuar, kur u teket vijnë turrë
Në mesditë, mesnatë, pas mesnate
Të djersitin, rraskapitin...
Poreve vlojnë puqërrime të skuqura
E pamëshirshme dhimbja, lëvron thellë
Mjeku (të nesërmen) kërkon anamnezën
Në ç ‘kohë vijnë dhimbjet, sa zgjasin, si duken.....
Dhe sonte,
Do pres kur vjen ai uragan i tmerrshëm
Do shënoj saktë orën dhe minutën e lodhjes
Pastaj zgjatjen e durimit pa frymëmarrje
E ka më lehtë mjeku të japë diagnozën
Por e di se nuk do e shpëtoi jetën
Pabesisht frika përpiu vdekjen n ‘eter
Nuk kam kohë të tepërt për ikje
Asgjë nuk kam thënë për dashurinë
Avullime kanë ngjarë, akoma nuk jam rrëfyer
Kohën po pres edhe këtë natë me dhimbje.....