Në kohë pritje
stina ngjan në stacionet
ku nuk falet vonesa
vetmia është përligjur
me ngjyra ligji e
spektër semaforësh
aty ku njeriu han veten e vet
pa të drejtë ankese
pse kqyr seri
ankth i lajmeve të djeshmes
që zyrtarisht vlejnë sot
kronikë e pandemisë
vjen gërrithëse në
jehonën e çjerrur
koha ka ligje pa pushtet
e pushteti lidh këmbët e veta
me budallallëkun
e të pandërgjegjshmëve
derisa liria është ëndërr
e mbetur përgjysmë
duke parë larg imazhet e
njerëzve me maska
në ardhje të numrave
që përditë
zgjojnë pyetjet e fjetura
në kohën kur takohen ora policore
dhe ora legale
pse o njeri
nuk respekton vetveten
në dashje të lirisë.
*Në pritje të hyrjes përsëri në zonën e portokalltë të masave dhe shtërngimeve ligjore anti-Covid.