Në sheshin Skenderbe lëshoj një zë
një zë ëndrre ndër re të kaltra ngjitet
nata fsheh pamjet e tua unë protestoj
dashuria fle nën qemerët e vetullave tua
shtërzimet më mundonjë vetëm mua.
I kryqëzuar mes kujtimeve i vrarë
i ëmbël më vjen tamli i gjinjëve tu
mes plasave mureve të ngrehinave
i vetëm pa trupin tënd ngjitur në mua
shtri shtratin tim me mbylesë dyshe.
Nga lumi i etur vjen një klithmë
etja për ty gërryen kujtimet e puthura
mes gurësh të kulluar kërkoj zërin tënd
një pikë uji për një vdekje buzësh.
Mes reve të mbuluara me një pelerinë
e kaltër më bëhesh ashtu siç të desha.
Megjithatë ti mund të ndezësh një zjarr të madh në mua
pastaj me ngadalë le ta shuan shiu i
luleve.
VETËTIMË E VERDHË
Hapi sytë moj nuse e puthshme
puthi gjithë ditët e ikura nusërie
mos harro asnjë vakt të paputhur
gjer në rrënjët e shpirtit të etur
gjer në dhembjen e kafshimit të bukur
puthi gjithë këngët tua në sqep zogu.
Mes këngësh përmbysu kupë e dehur
mes puthjeve nxirre gazin ngjite qiellin
një gje kupto moj nuse e telit prej ari
vetëm njëherë zë kënga jote mbi dhé.
Në mes të zjarreve shkëlqimi yt vërshon
mes yjesh fle nusëria jote e ndritur
sikur t'ishte një jehonë zjarri në rrokullimë
dhe pa dyshim ti je një zog zjarri
me flatra prej ari.
Pra puthmë mua dhe këngën tënde
kape hënën dhe shkrije dritën në gji
le të vërshojnë bardhësitë tua në shkëlqim nate
sikur t’ishe një vetëtimë e verdhë.
NË BUZËT E SAJ
Në fund të rrugës ende pa u teshur
hoqa dorë nga erërat e flokut të saj
bukurinë e virgjër e lashë në buzët e lules
le të kridhet ethshëm në lumin e etur.
Mbi kujtime plagë të fashuara rrita
pa i parë sy njeriu hijeshitë e gruas
gjithë pamjet e lakmuara i zhvesha
një nga një i ngroha me trishtimin tim.
Tani më bëhet një mjellmë prej ari
e shoh të pasqyrohet nën lumin e qetë
si një fletë e ramë nga murmurima e gjetheve
fluturon me erërat e pranverës në të ardhur.
Ka kohë që pres ta puth dorën e saj kënga e saj më bëhet stuhi e gjatë
nuk e di nëse do vjen zëri i humbur
të më gjej nën qepallat e nuses së fjetur.
E shoh s'e ecën por s'di kah mëton
nëse vjen drejt meja apo është mashtrim
ç'është e vërteta ajo ende përndizet
sepse shkëlqimi i saj ende rrjedh dritë
copëzat e natës së thyer i shndërritë.