Betimi i burrave pranë varrit të Gjergjit
Atë ditë që vdiqe
O Skënderbe,
Lirinë arbërore
E vrau vdekja rrufe!
Do betohemi
Në të shtrenjtin Atdhe
O Gjergji ynë – Skënderbe
Në kreshtat e shqipeve
Tash e tevona
Do ta dëbojmë armikun
Nga trojet tona!
Do shkojmë rrugës sate
Burrat arbërorë thanë –
Pranë varrit të tij
Besën duke e dhanë!
(PS: Këto vargje për heroin tonë kombëtar i shkrova kur isha maturant i gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë, respektivisht në vitin 1968, atëherë kur shënohej 500-vjetori i vdekjes së Skënderbeut. Edhe shkolla jonë kishte përgatitur një Program, pjesë e të cilit isha edhe unë. Unë isha i angazhuar në Grupin Folkrorik të shkollës, por pata shkruar edhe këtë poezi të shkurtër. Edhe pse ka kaluar një gjysmë shekulli, më kujtohet se në shkollën tonë kishte ardhur një njeri me një magnetofon të madh që e bartte në duar. Thanë: për të incizuar pika të ndryshme të Programeve Shkollore të shkollave të Gjakovës, për radio.... Ai njeri, që më vonë mësova se paskësh qenë Shaban Hyseni, gazetari i Radio – Prishtinës, e incizoi edhe këtë poezi timen që e deklamova dhe imitua në Radio. Pasi doli në radio, këtë poezi e kam pas botuar edhe dikund në revistat e kohës. Prandaj, për këtë poezi mund të themi se, për shumë arsye, ka simbolikën e vet. (autori))
KËSHTU FOLI ANTON ÇETTA
Verra të Llukës
Edhe në kohë
Edhe në shtrëngatë
Nuk u rrëzuat
Nuk u thatë
Qëndruat kryelartë
Erdhi prapë kohë
Të ringjallet kujtimi
Të bëhet betimi
Zhduket hasmëria
Sy me sy –
Të shihen vëllazëria...
Kështu foli Anton Çetta
Kryetrim i këtij Kuvendi,
Profesori ynë kryeplaku
Me fjalët biblike
Për popullin shqiptar
Dishepull i Skënderbeut
Nderi i kombit
I kthesës historike!
Dorë trimi është ajo
Që varre mbyll
Ajo që e fal gjakun
Me urti i tha masës
I ndershmi dom Lush Gjergji.
Në Ditën e Një Majit
Të vitit Nëntëdhjetë
U mbollën verra të rinj
Pëllumbat e Miqësisë
U lëshuan në ajri
Në këtë vend të shenjtë!
(Verra të Llukës, 1 maj 1990. E përpunuar, më 31 tetor 2020.)
ÇAMËRI
Toka ime e djegur
Gjaku im i patharë
Syri im i paterur!
Çamëri
Të kujtoj masakrat
Gjenocidin që përjetove!
Çamëri
Të çoj fjalë
Përmes dallëndyshes
Përmes erërash
Të çoj fjalë
Edhe në ëndërr
Se TI je pjesë
E Diellit Tim
Pjesë e shkëputur
E Zemrës Sime...
Çamëri
Shpejt do të vijë dita
Të jemi bashkë
Në Dasmën tonë
Të Madhe –
Si dikur
Do të lahemi
Me lot gëzimi!
(Pejë - Sarandë – Vërn), 10 - 11 gusht 2018)
LIRIKË PA MËKATE
(Nënës Terezë)
Emri yt
Dritë lashtësie
Varur në kujtime
Të bardha...
Zemra jote e madhe
Shëroi zemrat e varfanjakëve
Të rruzullit
Pa dallim feje
As ngjyre
Dora jote
mbolli gonxhe
Fshiu lot
Në mollëza të mpira...
Nga Gonxhe –
Nënë terezë
Nënë shenjtërie
Nënë shqiptare
Nënë e gjithë botës!
PLAGË E MOÇME
(45 vjet pas tragjedisë)
I.
Shpeshherë më duket
Që stinët nuk kanë gjethe
Shpesh më kujtohet
ajo plagë e moçme...
Isha bërë një me vetminë
Nëpër rrugët e heshtura
Deri në shkollë –
Sytë nuk m’u tershin...
Kënga më ishte bërë vaj
I zhytur në atë pellg mërzie
Në vend të haresë
Fati i zi i jetës të mori
Me valët e lumit ogurzi
Hëna rrëzohet
Pas kodrash
Vetëm unë e shoh
Butësisht më lë
Ngushëllimin
Nuk më ka harruar
Edhe pas shumë vjetësh!
II.
Për të shëruar atë plagë
Këndoja këngën e vetmisë
Me të cilën u mësova
Si i çmendur
Të kërkoj rrugën e shpresës
Djalli më zinte pusi në sofrën e zbrazët
Në atë heshtje pyesja veten
Zoti a djalli më mori djalin?
Njëmijë herë e përtypa tragjedinë!
Njëmijë herë e përtypa mërzinë!
Njëmijë herë përtypa mëngjesin e Përroit!
Njëmijë herë mallkova valët tinzare!
Njëmijë herë përtypa këtë plagë të moçme
Që nuk u moçmua kurrë!
Njëmijë herë përtypa atë kob
Kur ti s’kishe as katër vjet e gjysmë moshë!
Kah erdhi, nga i cili korb?
III.
... Dhe –
Pema e jetës u kërthënes sërish
Për t’më shëruar buzëqeshjen e vrarë
Në atë ditë dhjetori me shi...
(Në Pejë, 5 maj 2020)
SOT SHKROVA PËRKUJTIMIN
(Nënës sime që ndërroi jetë më 21 mars 1992)
Sot, më 21 mars 2020
Shkrova përkujtimin
Në 28 – vjetorin e ndërrimit jetë
Të nënës sime të shtrenjtë!
Lotët më pikuan rrëkajë
Sikur atë ditë
Që e përcolla për në varr...
Atje në Kodër të Madhe
Koha nuk fshin kujtimet!
Miket e miqtë më ngushëlluan
Në rrjetin social “Facebook”
Me fjalët dhe shprehjet e mortit
Ma lehtësuan dhembjen
Ma shtuan krenarinë!
(21 mars 2020, Pejë.)
FAZLI METË THAÇIT
(Pinjollit të Ramnimanëve)
Në ballin tënd rëndonin
Rrudha të trasha
Gjurmë të kazamateve serbiane!
Në sytë e tu lexoja
Etjen për liri të popullit tënd
Që i mungonte
E shekujt ndrydhnin mbi ne!
Ideali yt gjithmonë titanik
Na e mbante gjallë
ëndrrën e lirisë
Pinjoll i Ramnimanve të Gërgocit
Në kazamate të Goli Otokut
Tri herë i dënuar për vdekje
Por ajo nuk të mori
Ti ishe më i fortë se ajo!
Ishe në rrugën e burrave të flamurit
Ishe në rrugën burrave të lirisë...
E vargu im për ty
U bë zog i qiellit
U bë zog i diellit!
Pavdekësia jote
Si lule në vargun tim!...
(Pejë, 11 korrik 2020)
PINJOLLI I LIRISË DHE KULLAT E QËNDRESËS
(Dëshmorit të kombit Selim Berisha)
Si meteor i shkëputur nga qielli
Në vitin pesëdhjetë të shekullit njëzet
Në prehër të nënë Hatës e babë Halilit
Në Drenofc t’Prishtinës u lind Selimi.
Hapëronte ky çun shtigjeve të traditës
Nxënës i dalluar ndër mocanikë
Në shkollë t’Barilevë e të Breznicës
Pa u lodhur natë as ditë...
Herët i frymëzuar nga malet, shkrepat e kullat
Në heroizmin me nam të burrave të Drenicës
Legjendat për Oso Kukën, Ahmet Delinë e Tahir Mehën
I gjen në Normale t’Prishtinës e t’Mitrovicës!
Koha ecte e Kosova e zhytur n’robëri
I thoshte këto Selimi edhe në poezi
Me shokë të idealit ishte ndër të parë
N’demonstrata ngiste zërin për liri!
Me dijen e mësuesit Selimi rrok ditarin
Në ato shkolla ku vetë kishte mësuar
Të edukojë breza në frymën e Atdheut
T’ua mësojë luftërat e Skënderbeut!
Në vlimet e kohës të viteve të përflakura
Gjurmëve të patriotëve ecnin tehut t’shpatës
Pa i lakuar rrugët si me të parin -
Ishte njohur Selimi me Hamëz Jasharin.
Në luftë të fundit n’Kosovën e robëruar
Zë i atdheut i mblodhi trimat
U rreshtuan bashkë çlirimtarët
Në këtë Zë të Atdheut Selimi ishte ndër t’parët!
I brumosur me ndjenja kombëtare
Bën betimin e Ushtrisë Çlirimtare.
Largon vëllezër gra e fëmijë
Vetë do bëjë ai luftë me shki!
N’kullë të gurit ishte ngujuar
Thua për çark nëna e kishte gatuar
Automatikun e kish shtrënguar
Ordi kriminelësh e kishin rrethuar.
Nga frëngjitë e kullës së tij
Villte automatiku tym të zi
Luftonte Selimi me një ushtri
Qëndroi si burrë ai për lavdi...
Luftoi Selimi si burrë zakoni
Derisa iu sos municioni.
U ndez kulla me Flakë t’Janarit
U ngri gjaku i luftëtarit
N’pavdekësi shkoi biri i trollit
Selim Berisha DËSHMOR I KOMBIT!
(Fundjanar 2019, Pejë)
AGIM I AGIMEVE
(Dëshmorit Agim Bajrami)
Agim i agimeve
të bardha
u bëre!
Agim i sakrificës
U sule mbi barbarë,
TI Agim Bajrami
I paepur veprimtar
Emri yt qëndron
Shqipe në bajrak,
Ti , komandant Yefi
Me shpirt luftarak...
Bashkë me shokët ke rënë
Për të shenjtën tokën nënë,
Në Kopshtin e Lirisë
Mbolle fidan
Për mote e mote
Ndrit flakadan!
(Pejë, gusht 2016)
KUMTI I DITËS SË PREMTE
(Pedagogut, studiuesit, mikut, prof. dr. Xhavit Aliçkaj)
Në rrjedhë ankthi më erdhi
Kumti i ditës së premte
Të njëzet e shtatë shtatorit
Dymijë e trembëdhjetë –
Xhaviti ndërroi jetë!
Si mjegulla –
Kaploi shpejt kujtimet
Një kapitull jete
Me mikun me Xhavitin
Me Xhavitin fjalëmatur,
I buzëqeshur i ngrohtë
Me bashkëpunëtorët
Me nxënësit
Me burrat e odave…
Në raste gëzimi dhe hidhërimi
Dëgjohej fjala e studiuesit
Fjala e mësuesit –
E matur e ëmbël
E urtë e me vlerë…
Ndonjëherë shpaloste anekdota
Nga thesari popullor
Na bënte të qeshim,
Na bënte gazmorë…
Xhaviti ndërroi jetë
Herët iku në atë botë
Këtu la veprat e tij
E vetë shkoi në pavdekësi!
(27 shtator 2013, Pejë.)
MUZËS SË DUSHKAJËS
Hasan Mal Hasani
(Akrostik)
Hullive të jetës u nise nga vendlindja Jabllanicë
Ambicie rinore për libër, dije e shkollim –
Sa e sa herë kaptove nëpër rrugë e rrugicë
Anë për anë Dushkajës në të shenjtin rrugëtim!
Nëpër bankat e shkollës u kalite në Gjakovë
Maturant i Normales kur botove librin e parë,
Amë e Muzës e Krojet e Bardha në Rugovë
Lërim i vargut ditë e natë të përcolli Ujëvarë!
Hovet e sukseseve të ndoqën student në Prishtinë
As librat nuk mungonin studimet t’shkonin mbarë
Sikur gazeta e revista që mbulonin ag e çdo stinë
Ani, bir Jabllanice me rrënjët nga Domgjoni i bardhë
Nëpër furtuna hapërove vertikalisht dole pip në dardhë
I moshuar, pa harruar fisin anipse jeta të çoi n’Prishtinë.
(Pejë, 7 maj 2020)
KUMTI I DHIMBSHËM PËR MIKUN
(Poetit Ali M. Lajçi)
Në rrjedhën e minutave
Të mëngjesit të sotëm
E diel, 5 korrik 2020
Tek po kontrolloja shtypin virtual
Miku im poet, Riza Dreshaj
Më dha kumtin e hidhur”
“Na ka ikur në amshim
Poeti ynë i dashur
Ali M. Lajçi.”
Në të papriturën e hidhur
Më tradhtoi dhimbja
Nëpër mollëza më rrëshqitën
Lot burri
Për mikun, për poetin
Që për dyzet vjet
Ishim bashkë në aktivitete
Bisedonim për artin letrar
Për artin pamor
Që Aliu i donte shumë !
(Pejë, 5 korrik 2020, paraditë a pazakontë)
BUKURI EPIKE
(Për fundvit)
Ma sosën bukurinë
E asaj epikës
Me politikë të rreme
Që ecën nëpër
Kalldrëmet e heshtura
Nëpër gjakun e lavireve
të mashtrtuara...
vëllai im mbeti memec
për një hiçgjë
për një grimë pushtet të fëlliqur
horrat nuk janë
heronj epikë
veshur me lëkurë
gjarpri
në rituale marrëzish!
ËNDRRA NË PRAG TË DITËLINDJES SIME
Vetëm një natë më pare...
Kur bredh nëpër vendlindjen time
Eu rini ku je strukur
Shtrydh kujtimet e ikura
Zdirgjem e ngjitem
Shtigjeve të baladave
Heretik i këtij shekulli paradoksal
Personazh në libra blasfemish
As libër epitafesh as thikë ferri
Maskarenjtë deshën të shkelin
Nëpër hijen time
Me ndërgjegjen e tyre të thatë
Orgji hipokritësh!...
(Pejë, 1 fror 2020)
HIJA IME
Në mëngjes e gjatë
Në mesditë shkurtohej
Kur Dielli shkon në Zenit.
Pasdite vjen duke u zgjatur
Sa bjeshkët bëhet!
Kur isha i vogël, bari
Hijen e matja me shputa...
Tash me penë e vargje
Hija ime krenare
S’u bë kurrë rob i kujt
Askush s’mund ma shkeli
Ajo triumfalisht mbeti –
Vetëm HIJA IME
Fanar i mrekullisë
Ritual udhërrëfyes
Në Tempullin e Agsholeve...
(Pejë, 1 dhjetor 2019)
SAGË PËR KUKUDHIN
Krekoset me të paqena
Me shungullimën
E gjuhës bastarde
Që të vjen të shpërthesh
Në të qeshur –
Me dokrra për lashtësinë
Me rrena të përdala
Krekoset si gjeli në pleh
Në pazarin modern
Të verbimit politik
E shurrove vetë
Edhe atë grimë krenarie
Në vitrinat kriminale
Me buzëqeshje hajnore!
Rrëmihe në ëndrrën
Qiellore –
E zbehe madhështinë!...
SHTEGTON FERKU I DRITËS
Shumë vjet nuk çelën lulet atje
Në ngastrat e hatruara të mallit tim
Qenia ime kalorsiake
Vagëllimë stuhish
Kambanat që zhurmojnë
Në kraharorin tim
Rëndojnë zhgjënrrën time
Ti vazhdove si shtrigë intrigash
Fashite ëndrra
nëpër Lugina të Dushkajës
të baruara me rroba të zeza
atje ku në ëndrrat e mia
shtegton ferku i dritës.
Thellësia e shtegut nuk më tremb
Ata që mendojnë
të m’i bëjnë lloç rrugëgjatat
e mia
I vret rrezeagu!
LULET I THËRRAS
Si hije më rri mbi kokë vendlindja
Shpeshherë përmallem
Për një copë diell të saj
Për një copë histori.
Lulet i thërras të mbijnë
Si dikur me ngjyrë pranvere
Në prozhme, pyll e bahçe!
Ylber në qiell
Ylber në vendlindjen time!
Buzëqeshje brezash...
(Pejë, 22 mars 2020)
SHIU IM
Zdirgjet nga qielli
Janë vargonj të gjatë
Janë litarë jete
Janë lot skamnorësh
Janë lidhje ëndrrash
Mes qiellit dhe tokës...
SONTE PAK SI VONË
Sonte
Krah vetes
Më rrëmbenin
Katrahurat
E kohës së ikur
Me miqtë e mi
Bënim politikë,
Apo përpjekje
Për politikë –
Si të ndryshojmë
Botën shqiptare
Jo!
Por –
Ta ndryshojmë
Botën bastarde
Që na imponohet!...