Engjëjt flasin pa fjalë…
Krahët e erës tundin lehtë degëzat e pemëve
e dallgët mërmëritëse përkëdhelin bregun.
Dëgjohen klithma pulëbardhash
mbi ujërat e kaltra.
Në këtë parajsë hyjnore
engjëjt flasin pa fjalë, me gjuhën e syve
depërtojnë përtej vështrimeve
e prekin me frymë shenjtërinë e tyre,
që sjell veç ëndrra lundruese në shkëlqimin e ditës,
zhytur në ekstazën e dritës së flakës qiellore.
Rizgjojnë një tempull, një shpirt të shenjtë,
një fjalë, një heshtje, një psherëtimë!
Kafshim shpirti...
Kjo pafajësi hyjnore,
në skajet e dhimbjes,
ku mbërthyer rri zemra
prej fjalësh të thyera nga marazi,
ku drita e vjetër e largësisë
e të pavërtetës harresë
gërryen sytë
e shpirti vishet dëshpërim...
Lulet e qershisë
Gëzoju luleve të qershisë,
si simbol pranvere në lulëzim,
me aromë dehëse deri në përdëllim,
si parfum lirie pa fre,
me gjuhë të thjeshtë të dashurisë,
me ndjeshmëri shqisash
që ngrenë ëndrrat deri në re
se adhurojnë qiellin
që vargjet të mbulohen petale
e nanuritje të pafajshme stine.
Ah!
Me barrën e shpirtrave,
me dhimbjen mbi kurriz
ecim rrugës heshtur si hije.
Pa asnjë pendim,
pa asnjë rënkim,
pa asnjë ngushëllim.
Jeta qenka e çuditshme,kaotike.
E papritura ndodh kur nuk e pret.
Ah,dhimbja vajtuaka edhe mbyturazi!
Xixa...
Nata shkel mbi shpirtra njerëzish,
kur reve të hutuara grizohet hëna
e poeti horizontit poezinë e kërkon
duke trokitur zemrës së qiellit
në kurorë yjesh muzën shikon
e mbush sytë dritë perëndie
për ndriçim shtigjesh me fjalë_bekim,
drejt së ardhmes që vetvetiu marshon
e me shkëlqimin e saj xixa,xixon...