Atdheut nuk i shërbejnë te gjithë ne te njëjtën mënyrë, por secili bën at qe di e ç’i ka dhen natyra (Gete)
Demir Ahmeti natyra i kishte dhuruar zgjuarsinë, te cilën e ndërlidhi mirë me punën e përkushtuar , vullnetin dhe entuziazmin e pa ndalur.
U lind ne vitin 1961 ne Radishevë te Drenicës nga babai Sadriu dhe nenë Ajna. Rrjedh nga familje me traditë patriotike, qe gjithherë armikut i qëndroi përball e me pushkë ne dorë. Radishevasit ishin natyrë e papërkulur dhe çdo here përgjatë historisë u ndodhen përkrah kryengritësve popullor. Gjyshi i tij Imer Fazlia ishte ishte udhëheqës i vullnetarëve ne luftën e Pazarit dhe Kaloshinit. Ne luftën e Drenicës ishte renditur përkrah plakut te urtë Shaban Palluzha dhe u emërua komandant i Batalionit te Dytë te Brigadës se Drenicës, duke mbetur pas lufte ne ilegalitet derisa u vra nga partizano - çetniket, ne prill 1947. Ne mbrojtje te Radishevës bie dëshmor edhe Sabit Ahmeti, vëllai i Demirit, se bashku me Beqir, Azem e Faik Hajrizin, me 25 korrik 1998. Ne altarin e lirisë nga Radisheva ranë edhe arsimtari Haxhi Ahmeti, xhaxhai i Demirit, si dhe kushërinjtë Shyqeriu, Albani, Musa, Kapllani, Ferizi etj, te cilëve ne shenjë perkujtimi u është ngrit një përmendore ne hyrje te fshatit. Dhe, u benë njëzet e dy vite qe profesori Demir Ahmeti mungon ne përmendoren përkujtimore te të rënëve te Radishevës. Sepse u bën njëzet e dy vite dhe ende nuk dihet për fatin e profesorit. Sepse u bën njëzet e dy vite dhe ende nuk kemi përgjigje ne pyetjen, ku është profesori ynë?
Demir Ahmeti shkollën fillore e kreu ne Runik, ndërsa gjimnazin ne Skenderaj. I etshëm për te mësuar historinë e popullit tonë, e kreu fakultetin e historisë ne Universitetin e Prishtinës, ku i ndoqi edhe studimet e shkalles se tret. Nga viti 1996 punoi profesor i historisë ne QAMO ne Skenderaj, kurse nga viti 1993, ne shkollën e mesme teknike “Anton Çetta” ne Skenderaj, ku punoj deri në ndërprerje te mësimit nga lufta.
Profesori Demir Ahmeti e donte shumë profesionin e mësimdhënies, dhe ishte i dashur nga nxënësit dhe shokët e shkollës. E karakterizonte dashuria, respekti dhe afërsia. Shquhej për një sens te çiltër dhe simpatik te humorit. Me kujtohet njëherë kur i nxehu te stufa, këmbët qe i ishin lagur, dhe tha: me janë lagur edhe pse ua kam bere izolimin, dhe na beri te qeshim te gjithë. Unë i kam izoluar me mire dhe ende s’më janë lagur, i thashë duke qeshur. Pastaj mendova me vete, edhe kështu ne mësimdhënësit e shkollës shqipe ne Kosovë ia dalim te jetojmë dhe te punojmë. Vërtetë me shumë vështirësi, por kështu mbijetuam ne dhe shkolla jonë ne vitet e 90-ta.
Përkundër largësisë, nuk mungonte asnjëherë. Madje ishte mjaft aktiv edhe ne aktivitete te lira jashtë mësimorë. Ishte anëtar i redaksisë se Revistës “Shkëndijat e Drenicës” qe nxirrej nga mësimdhënësit e nxënësit e shkollave te mesme te Skenderajt. Fale angazhimit dhe ndihmës se tij para lufte u botuan disa numra te kësaj reviste ku profesori paraqitej me shkrime te ndryshme.
Profesori iu përvesh edhe punës hulumtuese për ndriçimin e figurave te shquara historike. Nga kjo fushe botoi tre libra: “Lëvizja kaçake ne Drenicën Veriore nën udhëheqjen e Shaqir Smakës edhe Azem Bejtës” , “Ahmet Selaci udhëheqës i rezistencës ne Shalë” dhe librin “Sherif Terstena” (1998). E kishte te gatshme për botim edhe një libër mbi luftën e shqiptarëve për mbrojtjen e kufijve verior, por nuk arriti te botonte për shkak te luftës. Si duket edhe libri e pati fatin e autorit. Qe nga 19 Prilli 1999 nuk dihet për fatin e profesorit Demir Ahmeti. Thuhet se bashke me një grup intelektualësh janë zënë nga forcat ushtarake - policore serbe ne malet e Drenit.
Profesori Demir Ahmeti ishte i martuar dhe pas vete la dy djem, Arianin dhe Arianitin, te cilët presin me ankth ndriçimin e fatit te të atit. Ai do te mbetet i paharruar për arsimtaret dhe nxënësit e shkollës sonë. Çdo herë për ne do të jetë shembull i mësimdhënësit te zgjuar, edukatorit te dashur, historianit te guximshëm dhe studiuesit te palodhur.
Në përfundim shtojmë, profesori Demir Ahmeti me terë qenien e tij u angazhua për ndriçimin e fakteve dhe historisë sonë kombëtare, andaj edhe ne te bëjmë çfarë është e mundur për ndriçimin e fatit te profesorit dhe shokëve te tij.