Nuk kemi nevojë për gjëra të shëmtuara
As për miq e shokë me fytyra të maskuara
As për vëllezër e motra me zemër të brishtë
Që ecën të pasigurtë me hapa të trishtë
Jo, as për lëvdata e dekorata nevojë s’kemi
Ngase ishim e do të jemi, vetëm këta që jemi
Nuk na nevojiten fjalët me pompozitet
Se edhe pas shpinës, dëgjojmë plot, sa një det
Por ne, o miqt të dashur, në jetë e kemi parim
Që kokën s’e kthejmë pas, as prapa s’bëjmë kthim
Ecim bashkë me kohën, hapat i qesim përpara
Jo s’kemi komplekse, shqetësime, as andralla
“Më munde, të munda” me tonin s’bëjmë gara
Si ju jemi njerëz, të tërë të rëndomtë, të thjeshtë
Por të zezës e bardhë, jo s’i themi dot n’jetë
Nuk i thamë as dje, s’i themi as sot, as mot
Dijeni se kemi fjalë e besë, që s’i thyejmë dot
Mbretër e gjeneralë për punët tonat vetë jemi
Jemi miq e vëllezër me ata që pranë i kemi
Por dhe me ata që larg në mërgim janë
Respekt dhe nderime, të gjithë i admirojmë
E vazhdojmë traditën, shqiptarisht jetojmë