I PAMPOSHTUR
Jam i pamposhtur
Lëshoj kushtrim,
Kam shumë zemra
Në trupin tim.
Disa rrahin
Në gjoksin tim,
Të tjerat më rrahin
Në mërgim.
Më mbajnë të fortë,
Më bëjnë trim,
Të gjitha janë
Nga gjaku im.
Jam tokë e vjetër
Shkëmb e gur,
Kam shumë zemra
Nuk shuhem kurrë.
................................................
ATO NËNA
Shumë më dhimbsen ato nëna
Që s'patën fat në shkollë të shkonin
E në vend të abetares
Kapën draprin në arë t'punonin.
Edhe n'ara edhe n'shtëpi
Laj, fshi e misër bluaj
Me njërën dorë rritën fëmijë
E me tjetrën n'magje gatuaj.
Oh, shumë m'dhimbsen ato nëna
Që rritën trima, e vetë vuaj
Rritën vajza e rritën djem
Prapë i lanë, ikën n'dhe t'huaj
Shumë prej tyre na kanë lënë
Disa të tjera ende janë gjallë
Ah, ato nëna sa shumë për ne bënë
Veç një nënë sa një mëhallë.
*********************************
MUAJT
Viti i ri vjen me janar
Pastaj shkurti me acar
Marsi vjen me rreze dielli
Në prill i kaltër, duket qielli
Lulet në maj janë bukuri
E qershori vjen me qërshi
Në korrik vapa, na gëzon
Në gusht lumi, na freskon
Në shtator na hapen shkollat
Në tetor na piqen mollët
Bien gjethet në nëntor
Na gëzon bora në dhjetor.