1. Veta e tretë e kohës së ardhme dhe të tashme të mënyrës dëftore, si p. sh.: AI/AJO DO TË PUNOJË/ dhe veta e tretë e kohës së tashme të lidhores të tipit: AI/AJO TË PUNOJË/ po ngatërrohet dhe po identifikohet me vetën e parë të njëjësit të së tashmes të mënyrës dëftore të tipit: “unë punoj” ose me vetën që s’i takon as lidhores e as kohës së kryer të thjeshtë, si kjo e tipit: “të punoi”.
Shembuj:
“Gjë të cilën poeti DO TA SHIJOJ”;
“Ai nuk ka pranuar TË NËNSHKRUAJ”, por ka filluar TË OFENDOJ “;
“Ai ka shkuar që TË FITOI; etj.
Duhet:
Gjë të cilën poeti DO TA SHIJOJË.
Ai nuk ka pranuar TË NËNSHKRUAJË, por ka filluar TË OFENDOJË”.
Ai ka shkuar që TË FITOJË.
Po kështu shumë herë i gjejmë të përdorura gabimisht trajtat foljore, si: ai/ ajo duhet TË PUNON, TË MENDON, TË VLERËSON etj., në vend që të thuhet: AI/AJO DUHET TË PUNOJË, TË MENDOJË, TË VLERËSOJË etj.
2. Shpeshherë foljet e zgjedhimit të dytë, pra ato që mbarojnë me një bashkëtingëllore, në të tri vetat e njëjësit të dëftores i gjejmë të shënuara me mbaresën vetore - ë, gjë që bie ndesh me rregullat gramatikore të gjuhës sonë, si në shembujt e sjellë këtu:
“Ai MBYLLË ...”,
“Ai HEDHË pluhur” etj., ngase sipas rregullave gramatikore ato nuk duhet të marrin asnjë mbaresë në vetat e përmendura.
Pra, duhet:
AI/AJO MBYLL;
AI/AJO HEDH.
3. Pjesorja e foljeve në kohët e përbëra del shumë herë pa prapashtesën - ur ose edhe pa të në rastin e foljeve apofonike, si në shembujt:
“Kemi MBAJT”;
“E kanë MBËSHTET “;
“Ata kanë SJELLUR disa libra”;
“Ne jemi MARRUR”;
“Kanë DALUR ”; etj.
Pra, trajtat e drejta janë:
Kemi MBAJTUR ;
E kanë MBËSHTETUR ;
Ata kanë SJELLË;
Ne jemi MARRË;
Kanë DALË etj.
4. Foljet e zgjedhimit të tretë të tipit: di, pi, fle, rri etj., përdoren gabimisht:
dij, pij, flej, rrij etj.
Kjo kategori e foljeve, sipas rregullës gramatikore, në të tri vetat e njëjësit nuk duhet të marrë asnjë mbaresë vetore.
Duhet: unë/ti/ai/ajo/ di, pi, fle, rri etj. ;
5. Foljen - "vij" në vetën e parë dhe të tretë njëjës të dëftores e të lidhores shumë herë e ndeshim me trajtën e gabuar "VIE" /"TË VIE" si p. sh.:
“ Nuk VIE ”;
“ Të vie ” etj.
Kjo folje e ka këtë paradigmë të zgjedhimit:
Mënyra dëftore, koha e tashme: unë vij, ti vjen, ai/ajo vjen, ne vijmë, ju vini, ata/ato vijnë.
(E ardhme : unë do të vij, ti do të vish, ai/ajo do të vijë, ne do të vijmë, ju do të vini, ata/ato do të vijnë).
Mënyra lidhore, koha e tashme: unë të vij, ti të vish, ai/ajo TË VIJË, ne të vijmë, ju të vini, ata/ato të vijnë.
Duhet:
Nuk VJEN.
Të VJEN.
6. Folja - "lë" në vetën e tretë të kohës së kryer të thjeshtë po përdoret me trajtën e pjesores - lënë, gjë që përbën një gabim drejtshkrimor, si në shembullin: “LËNË punën”...
Në këtë shembull duhet të përdoret trajta foljore - LANË, sepse kjo folje ka këtë paradigmë zgjedhimi të kohës së kryer të thjeshtë:
UNË LASHË, TI LE, AI/AJO LA; NE LAMË, JU LATË, ATA/ATO LANË.
7. Foljet e parregullta - "ha" dhe - "rri" etj., në kohën e kryer të thjeshtë dhe në trajtat e tyre analitike, në të shumtën e rasteve, ndeshen të përdorura gabimisht, si në shembujt:
“Ata NDEJTËN;
“Ata kanë HANGËR”;
Folja – “rri” në kohën e kryer të thjeshtë bën:
UNË NDENJA, TI NDENJE, AI/AJO NDENJI, NE NDENJËM, JU NDENJËT, ATA/ATO NDENJËN, dhe jo: "ndejtën", si në shembullin e lartpërmendur.
Po kështu edhe folja- “ha” në kohën e kryer të thjeshtë, ka këtë paradigmë zgjedhimi:
UNË HËNGRA, TI HËNGRE, AI/AJO HËNGRI, NE HËNGRËM, JU HËNGRËT, ATA/ATO HËNGRËN; ndërsa në kohët e përbëra: UNË KAM/ KISHA/ PATA/ DO TË KEM + NGRËNË etj.
Duhet:
Ata NDENJËN.
Ata KANË NGRËNË.