Sot, për Ditëlindjen Tënde, Nexhmije
do thurë vargje nostalgjie,
për zërin Tënd hyjnor
që ndër malet tona qëndron kurorë,
sot, kur në mesin tonë më s" je
e trupi yt dergjet nën dhe,
kur zani yt ende në shpirt na jehon,
si Diell që kurrë s" perëndon.
A mund t" i thuhet trëndafilit
mos çel, mbylli petalet,
a mund t" i kërkohet Diellit e Hënës
mos ndrico e blero malet,
a mund t" i kërkohet lumit e kroit
në mes të vapës të rrijë i ngrirë
aq mund të të themi ty, nënë kanarinash Dardanie
përgjithmonë lamtumirë!
O Perri Bjeshke Rugove
ku me aromë lulesh deh e zërit tënd jehona,
o ëmbëlsi e gurgullimë ujëvarash
ku lozin Shotën Zanat e maleve tona,
përgjithmonë shpirti yt do frymojë
ku shkrep nur e Shqipeve bukuria,
ku lashtësisë Shqipe i dridhë telat
me krenari lahuta e çiftelia!
A ka si Ti që di të lutë për një buzëqeshje trimi
sa herë në zemra na troket malli për dashurinë,
a të u këndojë rrezeve sa herë na puthë agimi
a kreshtave tona t" u këndojë për lirinë,
a di kush t" i këndojë bareshës, bariut, dasmës së malësorit
duke shkrirë gjithë atë ndjenjë dashurie,
o Yll më ndriçues ndër gjithë yjet e Qiellit
simfoni kanarinash , e jona Nexhmije!