Unë dua ta shoh Gjon Buzuk-Shqiptarin
Dhe dua ta pyes ku e shkroi “Mesharin”
Dua ta takoj edhe Pal Engjëll-Trimin
T’ma thotë me gojë t’vet “Formulën e pagëzimit”
Dhe Pjetër Bogdanin ta takoj unë dua
“Çetën e profetëve” ta pyes si e ka shkrua’
Pjetër Bud-vjershëtorin dua ta takoj
T’më tregojë ai mua cili e tradhëtoi
Edhe Sami Frashërin dua që ta shoh
Për “BESËN” shqiptare diçka të më njoh'
Bilbilin e Shqipes, Naimin e Madh
Dua ta takoj, se zemrën ma ngjall
Dua që ta pyes diçka për ATDHEUN,
Për LULET E VERËS dhe për SKËNDERBEUN
Me Filip Shirokën të takohem dua
T’m’njohë me “Dallëndyshen”, vallëku ka shtegtua’
Me Hil Mosin, miq, me këtë burrë shqiptari
Dua t’bisedoj, si duket tradhtari
Dëshiroj t’takohem edhe me Asdrenin
“Rreth flamuritt ’përbashkuar” ta këndojmë refrenin
Edhe me Migjenin kisha dashtë të takohem
Por nuk pata fat se u dogj para kohe