Poezia është dhurata më e bekuar e letërsisë që na e jep Zoti, dhe të cilën duhet ta kultivojmë. Poetët janë paraprijës të agimeve. Ata janë muza dhe shpirti i ëndrrave. Poetët janë shpresa, fryma dhe muzikaliteti i fjalës së shenjtëruar. Ata janë koloriti më i ndritshëm i qenies njerëzore. Patëm thënë paraprakisht se fjala ka shpirt. Nuk të shërojnë ilaçet, sa të shërojnë fjalët. Shqiptarit i ka hije fjala dhe pushka. Fjalët e bukura janë si një hoje mjalti: të mira për shpirt dhe të shëndetshme për eshtra. Libri është shëndeti i shpirtit. Shpirti i fshatit, shpirti i gjumit, trupeshpirt, shpirt’ i dashurisë. Cilat janë specialitetet e shpirtit? Shpalimi i gjirit të femrës është ilaç i mirë për shpirtin, ndërsa beli i bukur, ushqim i shijshëm për ndjenjat. Kur vjen fjala për shpirtin, vlen ta përmendim femrën si frymëzim poetik dhe artistik. Burim i përshkruar në disa mënyra përgjatë kohës, në arte të ndryshme, gruaja ka mbetur një prezencë konstante, jo vetëm në këngë, poezi dhe romane, por edhe në pikturën shqiptare, duke reflektuar perceptimet e artistëve dhe të shoqërisë.
Poezia është shprehja e bukurisë, e lirisë dhe e mrekullisë. Në vargjet e Remzi Bashës defilon zemra e shqiptarizmit, sentimenti i erotizmit, shpirti i fjalëve dhe shëndeti i shpirtit. Duke deshifruar vargjet e poetit të dashurisë, kuptojmë se shqiptari ngado që shkon, vendin e vet nuk e harron. Remziu nuk shkruan vetëm për dashurinë, por edhe për shpirtin shqiptar që është një vlerë hyjnore. Nga portrete familjesh e deri në aspekte nga jeta shtëpiake apo sociale, nga përfytyrime sublime të maternitetit, gjithmonë me femra misterioze apo fshatarka të thjeshta, një suitë shëmbëlltyrash e siluetash reflektohen në tabllo emblematike të disa nga artistët më të shquar shqiptarë, që nga Ibrahim Kodra dhe pararendësit e tij, e deri te Dan Gashi, Asllan Dibrani, Jetullah Haliti, Destan Gashi, Ben Kamili, Afrim Shatku etj. Femrat shqiptare kanë marrë pjesë edhe në evenimente të mëdha historike. Numri i tyre është i panumërt. Ata janë shquar përmes luftës së tyre, duke e qëndisur me shkronja të arta historinë e atdheut.
Kurrë s’trembet shqipëtari, që ka në zemër, gjak si zjarri. Shka bojn shqyptarët e mjerë? - pyeste Gjergj Fishta për dembelat e Ballkanit, duke shtuar: Hanë fiq e qesin petlla n’ujë. Dhe e shikojnë ushtarin e huj. Pale a e ka fesin qyp apo kapelë. Pale a e ka kalin at apo pelë! Të këtillë na duken sot, ata që i hedhin lekët për lojëra fati e cigare, e jo për libra dhe gazeta shqiptare. “Me çikto njerëz nuk dritohen brinat e dashit”, na thoshte një mik nga vendlindja, në kohën kur Përtac Trishtimi dimëronte edhe gjatë verës. Shqiptarët dikurë digjeshin për Shqipërinë. Ku janë ata shqiptarë të hatashëm, që i kishim në kohën e Dedë Gjon Lulit, Azem Bejtës, Isa Boletinit, Adem Jasharit, Xhelal Gjurës dhe Lazim Rexhepit? Burra e shkuar burrave, për nderë e për shpresë, për trimëri e për besë. Ku është zemërgjerësia karakteristike, e atyre që shkriheshin për komb e atdhe, siç ishin rilindësit tanë, atëherë kur toska e gega, myslimani e i krishteri, hidheshin në flakë të barotit, për t’i mbrojtur dhe shpëtuar trojet Shqipërisë. Në librat e Remzi Bashës ndjehemi si në një festërim të përbashkët, ku i ndjejmë aromat e fjalëve të gërshetuara me dashuri dhe me ndjenja tjera të veçanta.
Shpirti shqiptar është shpirt i shenjtë. Skënderbeu përleshej me islamin, ndërsa Adem Jashari me Sllobodanin. E falënderojmë Zotin që iku ajo kohë kopiliste kur shqiptari e shiste shqiptarin! Vetëm në kohën e komunizmit, njeriu shkonte në burg për një fjalë goje. Shyqyr Zotit që bota shqiptare, tashmë ndërlidhet me Perëndimin. Që nga Suli i sokoleshave që hidheshin nga shkrepat, për të mos rënë në kthetrat e fanatikëve të Azisë, e deri te trimëreshat e Drenicës, që rrokullisnin shkrepa malesh kundër bishave të Serbisë. Ato sot e kësaj dite mbajnë do emra e mbiemra të bekuar: Basha, Toska, Gega, Gjura, Gjergji, Gashi, Mhilli, Sokoli, Pashku, Antoni, Krasniqi etj. Dil o Skënderbe nga varri, ta shikosh si ia jep sot dërmën shqiptari, edhe palës dembeliste, edhe bushtrës komuniste! Shpirti shqiptar është shpirt i punës. Jo më kot, Enver Hoxha e pagëzoi partinë e tij, Partia e Punës, edhepse paralelisht me punën, e praktikonte edhe dhunën. Shqipëri moj Nëna ime, ndonëse jam i mërguar, Zërin tënd moj Zemër, nuk e kam harruar!
Në librin më të ri, Remzi Basha vjen para opinionit tonë me shpirtin e fjalëve dhe prekjet e dritës: Gjumi është nëna e syrit/ Syri është pasqyra e shpirtit/ Dhe shpirti i fjalëve/ Të atyre që e dridhin dheun/ Përmes prekjeve të dritës/.../ Eja e dashur t’i shijojmë/ Frytet e vjeshtës/ Koha ik dhe ditët ikin/ Kurse neve na mbeten/ Vetëm kujtimet/ Dhe ëndërrimet/ Me puplat e durimit/ Për të vajtus së bashku/ Nga drita në dritë/ Me shijen e padurimit/ Për t’u përkëdhelur... Për autorin preferohen shtatë parime të shenjta, të denja për çdo shqiptar: Duaje Zotin si vetveten! Duaje familjen dhe farefisin porsi Zotin! Mos mashtro! Mos vidh! Mos vraj! Mos bën kodoshllëk! Mos u kreno! Skënderbeu i nxorri trupat e stërgjyshërve tanë, për ta mbrojtur Evropën, nga rreziku sulltanist. Paraja e vërtit botën. Ajo është nervi i luftës. Jemi kundër luftës, por lufta që pat krisur para ca vitesh, ishte luftë kundër luftës. Disa e konsideronin luftën si lufta e tretë botërore: mënjanë ishin forcat e territ, pronarë atentatesh të panumërta, të fshehur nëpër shpella, në anën tjetër ishin forcat e dritës për përhapjen e dritës, edhe atje ku fanatizmi krijoi varfërim dhe mjerim.
Remziu ka energji hyjnore, ndërsa forca morale, përherë është në anën e atyre që i besojnë Zotit. Po ku mund të ketë në botë, besimtarë më të mëdhenj se gjermanët dhe amerikanët! Nuk është qëllimi vetëm te vërtitja e tespive dhe diskriminimi i femrës, por te fisnikërimi i shpirtit përmes lirisë, drejtësisë, përgjegjësisë dhe barazisë. Der Kraft kommt aus dem Herzen, thonë gjermanët (Fuqia vjen nga zemra). Thonë e ç’nuk thonë. Thonë se ilaçet bëhen nga shpirtërat e njerëzve të mirë. Vallëzimi është sport, meditim, shpirt dhe poezi, rruga më e mirë për të arritur në shpirtin e një femre. Mjeti më i mirë për përsosjen e shpirtit është nxitja e trupit. Edhe vetura ka shpirt, po qe se e parkon para diskotekës së Dan Dinit në Sllapuzhan! Po qe se i hedh ca vaj, ajo e lyen shpirtin e saj. Po ku je mor shpirt, i thot gruaja burrit kur kthehet nga kurbeti me limuzinë. Po ti ku je moj loçka jeme, ia kthen mërgimtari i përmalluar, për ta ndjerë shpirtin e saj, para se ta shohë shpirtin e fshatit.
Shpirti është qenësi e Krijuesit.Trupi është qenësi e tokës. Njeriu është krijuar prej dy përbërjeve: prej shpirtit dhe trupit. Shpirti është qenësi e Krijuesit të Madhërishëm që është i përhershëm e i pavdekshëm. Trupi është nga dheu dhe kthehet në dhe sipas përcaktimit të Zotit. Cili pra qenka më i rëndësishëm: shpirti që e lëviz trupin dhe që është i përhershmëm, apo trupi që detyrimisht shpërbëhet dhe i kthehet tokës? Ushqejeni sa më shumë shpirtin nëse e dëshironi pavdekësinë dhe lumturinë e përhershme! Trupin sa do që ta ushqeni dhe tokës do t'ia ktheni! Shpirti i fshatit është shpirti i kombit. Kaq sa për shpirtin sot, ngase mund të preket dikush që ende s’e ka kuptuar se shpirti shqiptar është një vlerë hyjnore. (Bukuresht, 15 maj 2021)
SHPIRTI I FJALËVE
DHE PREKJET E DRITËS
Pas çdo gazi e hidhërimi
Mbetet pas vetëm kujtimi
Ah dhe i shkreti mallëngjimi
(Lasgush Poradeci)
Gjumi është nëna e syrit
Syri është pasqyra e shpirtit
Dhe shpirti i fjalëve
Të atyre që
E dridhin dheun
Përmes prekjeve të dritës.
Fjalët lindin nga drita
Vjeshta i ka vjedhur
Shirat e pranverës
Eja e dashur t’i shijojmë
Frytet e vjeshtës
Koha ik dhe ditët ikin
Kurse neve na mbeten
Vetëm kujtimet
Dhe ëndërrimet
Me puplat e durimit
Për të vajtus së bashku
Nga drita në dritë
Me shijen e padurimit
Për t’u përkëdhelur...
NË PERIFERI TË PARAJSËS
Idetë tona me shpirtin e smadhuar
Në qosh të botës kanë mërguar
Mendimet ndjenjat përjetimet
Fjalët presin një anije kozmike
Të fluturojë mbi Livadh të Madh
Drejt Staneve të Bjeshkës të arrijnë
Në periferi të Parajsës
E shkëputa një orë nga koha jote
Dhe nisa t’i pres agimet
E fshehura pas horizontit...
Çka po dëgjohet në qiell
E pas perdeve çka po fshihet
Po ku je moj zanë besnike e trime
Që dritën e fjalëve si një flakadan
E përçon drejt zemrës sime
Idetë mendimet përjetimet
Lumturinë dhe dashurinë
E shpie tejmatanë yjeve
Ku ndoshta na pret Zoti...
LUMENJTË E FJALËVE
Jeta duket si një rrugëtim për në varr
Duke tentuar të arrish i shëndetshëm
Deri në trojet e pavdekësisë
Me peshën e mëkateve të ëmbla
Pa hidhërimin e kujtimeve
Të mërguara në trojet e trishtimit
Jeta është si një libër, libri është si një film
Kush pat thënë se në brigjet e skëterrës
Të presin fjalët e mirëmbetjes
Dhe netët e bardha të një ore
Ku dukesh si një pasqyrë e pasigurt
Ku mungojnë drejtësia, fuqia
Mençuria dhe ekuilibri
Ti je zanë në pallat
Apo nata është shtrat
Për fjalët e përgjumura
Në mbretërinë e shekujve.
Në lumenjtë e fjalëve na peshkojnë çastet
Me iluzione e shpresa për të arritur
Në detin e kureshtjes
Që i numëron lotët e shiut
Vetëm hëna e dielli janë përjetësi
Gjatë stinëve të fjalëve
Ku të buzëqesh me dashamirësi
Ylberi i dritës së përjetshme...
FABRIKA E FJALËVE
Dikush prej jush
Krijon fabrikë ëndrrash
Ndërsa unë vazhdoj më tej
T’i ledhatoj fjalët tuaja
Për pasurimin e fabrikës sime
Me fjalë të mikluara që i joshin
Lexuesit e Faqebujkut
Për lumturimin e shpirtit
Me fjalë që lindin atypëraty
Pa e lodhur trurin shumë
Para dritareve tona
Shungullon një lumë
Që i tundulit metaforat
E i shpie fjalët në gjumë.
Krejt jeta na shkoi me fjalë
Duke i mbledhur me kujdes
Siç i mblidhnim dredhëzat
Manat qershitë e qershizat
Nëpër lëndinat e Sharrit
Për lumturimin
E buzëve të shqiptarit
E të dashnoreve tona
Që na presin në Parajsë
Jo me zile e kambana
Por me nektarin e dashurisë
Që ia shton namin beqarisë.
ENERGJIA E FJALËVE
Të gëzosh një shëndet ideal
Donë të thotë se je i pajisur
Me një inteligjencë hyjnore
Duke u dhënë fjalëve
Një fuqi vitale që e zotëron
Dhe harmonizon shpirtin tënd
Fjala ka nevojë për shëndet
Pa krijuar tërmet
Për shqetësimin e tyre
Lulet, femrat, idealet dhe fjalët
Janë pjesa më e bukur e natyrës
Që e shndërrojnë çastin në përjetësi
Në qetësinë e vetmisë sime
Më duket se po dëgjoj
Hijen e hapave të fjalëve
Që trokasin në galerinë
E mendimeve të mia
Shpirti ka nevojë për relaksim
Kurse fjalët e lënduara
I braktisin qytetet e fshatrat
Që duken si do libra
Ku takohesh me stërgjyshërit.
SHTRATI I FJALËVE
Hijet e harlisura degdisen
Me valëvitjen e gjetheve
Dhe shpërnguljen e ëndrrave
Për t’u strehuar
Në shpellën e fjalëve
Rrëshqasin fjalët
Në shtratin e Shkumës
Dhe pastaj depërtojnë
Nëpër tunelin e kohës
Duke dalë
Në anën tjetër të botës
Ti je një nyje që e lidh
Të djeshmen me të nesërmen
Dëgjohet se si Fusha e Madhe
Si një anije kozmike
Ngjitet drejt qiellit
Duke kaluar me vërtitje
Mbi Stanet e Bjeshkës
Nga nëntoka erdha drejt teje
Ta dëgjoj melodinë e shpirtit
Shungullimën e valëve të Shkumës
Që rrëshqasin me nxitim
Duke u gërshetuar
Me një vezullimë të ndritur.
ORIGJINA E FJALËVE
U takova rrugës me një fjalë
Ma zu rrugën një fjalë
Me origjinë stelare
Nga po vjen më pyeti
Sapo zbrita nga plepi
I thashë
Duke e ngatërruar
Plepin me shtratin
Një krahasim që nuk shkon
Sepse plepi është për zogj
Ndërsa shtrati –
Vatra e përtacisë
Për fjalët e dehura me dritë...
HESHTJA E FJALËVE
Vetmia fshihet mes mureve
Të kështjellës së harruar
Fjalët të ftojnë
Të zgjohesh nga gjumi
Kujtimet i përkëdhel
Një shqetësim hyjnor
Vetmia vetëftohet në tryezën
E lakmisë për pasurim
Heshtja e fjalëve që s’heshtin