I
Era fryn, bien ndër pemë gjethet
Eci, e ndjej vdekjen nën këmbë
Ky është fundi i ditës ikin rrezet
Era fryn, bien ndër pemë gjethet
Ç' më kaplojnë në këtë natë ethet
S' të shoh me sy, të ndiej për gjëmë
Era fryn, bien ndër pemë gjethet
Eci, e ndjej vdekjen nën këmbë
II
Këmbëzbathur iki fillikat vetmisë
Arrij e hutuar te shelgu degë gjatë
Vala rrjedh, uji përmbytet qetësisë
Këmbëzbathur iki fillikat vetmisë
Prisja vetmuar e humbur largësisë
Silueta e hënës nga shfaqet në natë
Këmbëzbathur iki fillikat vetmisë
Arrij e hutuar te shelgu degë gjatë
III
Në degë shndrisin dy mollë të kuqe
Me orë të tëra i shikoja gjithë mall
Sesi vajti koha, e u rriten këto lluqe
Në degë shndrisin dy mollë të kuqe
Vija e vogël në fustan lule-burbuqe
Iku me veten lë veç gjurmë në zall
Në degë shndrisin dy mollë të kuqe
Me orë të tëra i shikoja gjithë mall