Ditën më të Bekuar e më të Shenjtë zgjodhe, i Madhi Zot
që sytë e të gjithë neve t" na i mbushësh me lotë,
t" i bie Llapit, Dardanisë e gjithë Shqiptarisë kjo dhimbje,
që assesi nuk po mundemi ta kapërdijmë dot,
o Vdekje e mallkuar, që çdoherë ke qenë dinake,
prap zgjodhe më të bukurën e më të Bardhën ditë
blerimin e Pranverës t" na e kthesh në gjethe verdhake,
Bilbilit të Gemit Llapjan , Ismet Bogujevcit, me pabesi duke i zënë pritë!
Vargu i trishtë sot për ty, Vojshtinë Kënge Shqipe
peshon sa pikë uji në oqean,
pena ime mbi letrën e bardhë sot vajton
o zemërbardhë, i Këngës Shqipe Vigan,
sot dhe Dielli e Hëna e Artit Shqip
petkun me vajë e lotë ka veshë,
sot zemra në njërën anë feston në tjetrën vajton,
oh, sot, sot vetëm Amshimi po qeshë!...
" Sytë e Zezë" të vashës që i këndoje
sot në sy lotë kristal janë kthyer,
lulet në " Lulishten me Trëndafila" që aç shumë e doje
me ngjyrë pikëllimi të gjitha janë ngjyer,,
lahutat, çiftelitë, violinat, gitarat
të gjitha nga trishtimi telat kanë këputë,
nusja më e bukur e ' Martesës" hoqi vellon,
në vend të së bardhës vu vello të zezë futë!...
Sot më e njoma vashë dardane
nga pikëllimi preu gjithë " Gërshetin",
" Bukuroshja" zemërthyer , me lotë valë
njomi Dardaninë e mbushi Detin,
Llapi, Dardania e e gjithë Shqiptaria
sot po mbushin det me lotë,
e Vdekja e mallkuar "S"ua kthej më mbrapa!"
pamëshirë ne po na thotë!...
Bajram Curri me trimat e tij sot gjallë po të ishte
ndër shkrepat e Dragobisë sot për këtë humbje do lotonte,
martinë e Azem Bejtës, Isë Boletini, Hasan Prishtinës
me Plumba Nderi Shqiponjash këtë Qiell Dardan do shponte,
"Kaçaniku me Grykën e tij, nëse do të mundte
gjithë Burrërinë Martire sot do e mblidhte,
me nderin më të madh, o i Këngës Shqipe Hyjni
një grusht dhe më të artin , lagë me lotë mbi varr do të të hidhte!...
Mos mendo, o Vdekje gllabëruese
se me marrjen e Viganit tonë na munde,
edhe pse nga dhimbja, sot
cdo Pemë Shpirti Artisti na shkunde,
se në miliona zemra Shqipesh
zëri i Tij mbet mbjell si lis, përjetë,
se Martirët e Këngës, si ISMET BOGUJEVCI
jo, jo, as dheu e qielli s" i tretë!...