Të drejtë pate dhe ti or Mbreti Italisë
Ta shihje nga afër, atë pjesë perandorie
Kurorën e braktisur, në ditën tonë të zisë
Ta patën lënë aty, mbi një fron tradhëtie.
----
Ti erdhe një ditë pranvere, që bëri ftohtë
Ç’pate ç’të tha mëndja , që vendose ashtu?
At’vit pemët s’çelen lule, po derdhën lotë
E ti bashkë me Vërlacin,shëtisje tutje e tëhu.
------
Kuptohet , koronën si gjithë mbretrit vure
Në at’kokën e voglë të ngjashme si çibuk
Me shpatën ngjeshur mbas kërbishtjes pa tule
Perandori që vuan,e mezi ngjitet në kolltuk.
-----
Konti i juaj aq entuziast ju pat premtuar
Shqiptarët do t’ju pritnin gjith’ gaz e brohori
Dinaku pushtues ! Ofrove bashkimin etnik
Me ndërrim skllavërie... në tënden perandori.
-----
Ehh ti mbreti xhuxh, jo i gjatë sa e jotja shpatë!
Ata që të dërguan ,si nuk t’i thanë zakonet tona?
Prej një naganti plumbat që dolën vollën flakë
Përzier fort me thirrjen” Shqipëria është e jona”!
----
Thonë se mbasi ” ia hodhe” përdore ironinë
Mësojeni-the - Të qëllojë djaloshi me kobure!
Po cilin shkurtabiq e kap plumbi në makinë
Paçka se kur zbrite , keq tu lagën ato poture!
-----
Duçen tënd shastisur keq e kapi ngërçi at’ ditë
Jo se për mbretin e vet do të ish i shqetësuar
Pesë plumbat mbi të dhuratë për perandorinë
Prej një dore që tregonte luftën tonë...filluar!
-----
E varët djaloshin atentator pa zhurmë e bujë
Bile kujdesshëm të dya, ia fshehët dhe vet Italisë
Por jo o mbreti xhuxh më i voglë se vet shpata jote
Kurorën e Skenderbeut, e kemi të Shqipërisë!