Ninulla e munguar e Rozafës - Meditim në kalanë e Shkodrës

Kultura

Ninulla e munguar e Rozafës - Meditim në kalanë e Shkodrës

Nga: Namik Selmani Më: 26 maj 2021 Në ora: 06:39
Ilustrim

Para teje shihemi në pasqyrë e mëmësisë, o Rozafë

Gurët e kalasë sikur i mbajmë në shpinën që kërruset

Sikur bëhemi në çast si tingujt e një balade

Sikur bëhemi themel ku qumështi na çurgon mes buzëve.

 

Para teje shohim pasqyrën e pabesësisë vëllazërore

Ah, sërish të ishim nëpër shekuj si Plaku i Mençur

Këtu zgjohet historia jonë me plagët kuqëlore

Po dhe dhimbja e jetës së prerë si qiriri i tretur.

 

Para teje, Rozafë, bëhem bash si urë e ringritur/

Na ka mbetur në sy ai çurgim i bardhë

Këtu herë jemi fëmijë, herë gjyshër thinjëbardhë.

Herë bëhemi pajtimtarë për besën e vrarë.

 

Në cilin prag ta dërgojmë ninullën mbytur në gur?

Kush nuk u bë këtu kalorës ballëdjersiturt?

Në supe mbajmë shtëmbën e mbushur me ujë

Në duar mbajmë ushqim për mjeshtrit e uritur.

 

Para teje fjala shuhet si gëlqerja e bardhë.

Një rrudhë e thellë mençurie vjen te balli.

Mos vallë jemi kthyer shpesh të gjithë në “Rozafë”

Ku mungon një dorë e ngrohtë e zgjatur vëllai?

 

Boston, 26 maj 2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat