Teatri "Migjeni" solli mes freskisë së zërave të të rinjve koncertin tradicional "Pranverë me këngë", i cili për 1 orë e 30 minuta i dhuroi spektatorit emocione të pafundme.
Qytetarët thonë se ju kishte munguar një mbrëmje e tillë, pasi prej afro 1 viti organizimet kulturore kanë qenë të ndaluara prej pandemisë.
"E shijuam kaq shumë sa nuk di të them, na kishin munguar këto koncerte. Ishalla vazhdojnë gjithmonë."
"Shumë na kishin munguar, u kënaqëm sonte."
Edhe artistët mes emocionesh rrëfyen ndjesitë e tyre për duartrokitjet e munguara.
"Mezi e kemi pritur, kishim shumë nevojë dhe nga ana psikologjike".
Përzgjedhja e repertorit u ndërthur mes çmimeve të para ndër vite të festivalit "Luleborë" dhe këngeve të njohura shqiptare e të huaja.
Drejtoresha e Teatrit, Rita Gjeka, nuk lë pa përmendur rihapjen e pjesshme të teatrove në këtë periudhë, ndërsa thotë se shtatori do të vijë me plot risi.
"Me datën 1 korrik nuk di kush bën teatër në Shqipëri por po fillojmë dhe e bëjmë ne. Në shtator dihet që ka qenë të paktën jo me 30% por me më shumë se kemi nevojë të shohim sallën plot."
Prej javësh oborri i teatrit "Migjeni" është kthyer në një skenë të hapur, së bashku me shtëpitë karakteristike dhe sheshet e Shkodrës, ku paralelisht po jepen shfaqjet e trupës teatrore.