Marrshi i horrave

Kultura

Marrshi i horrave

Nga: Gezim Loka Më: 31 maj 2021 Në ora: 23:02
Gezim Loka

Na ishte se ç’na ishte

Një herë demokracia,

Kërpesh pa gërbishte

Katandis Shqipëria.

Katandis kokoshi

Në një thelë të mjerë,

Kopuku, kodoshi

Na mbyllën çdo derë.

Na e çuan thikën

Në asht e në kockë

Vra natën, qajë ditën,

Politika gropë…

Politika gropë

Politikë gazepi

Kokën në Evropë

Duart veç te xhepi.

Varfëri mizereja

Ulur në çdo vatër

Veç hipokrizia

Është monedhë e pastër…

Një hap bëjmë para

Dy hapa bëjmë pas,

Nën marshe, fanfara

Mbushur me maras.

Na ngopin me fjalë,

Hamë me lugë bosh,

Politika ngjalë

Popullit i bën kosh.

Njëzet e shtatë vjet

Batërdi, rrëmete

Politikanë lanetë

Hani veç për vete…

Vjedhje poshtërim

Katrahurë rrëmujë

Të varfrin të mjerin

Ç’e ulët në gjunjë…

Ia mbushët Sovranit

Trupin plot me plagë

Pjella të shejtanit

Veç vidh ditë e natë…

Bëtë nëntëdhjeteshtatë

Gjëmëmadhin Gërdec,

Kuja ditë dhe natë

Në teh të briskut ec.

Njëzet e një janari

Ç’masakër mizore

Katër demonstrues

Në shesh mbetën prore.

Krimi dhe ndëshkimi

Janë fytyra juaj

Ulërin mallkimi

Popull hiq e vuaj…

Shitët armatime

Shitët dinjitetin,

Pa pasur parime,

Ia vutë ferrën shtetit.

Ç’e çuat ushtrinë

Në zgrip të greminës,

Na e vratë lirinë

Me thikë pas shpinës.

E kthyet arsimin

Në kohë të qiriut

O pjella të delirit

Vrasës të njeriut.

Shëndetin e kthyet

Në markë konçesioni

Te këmbët vutë kryet,

Bythën tek timoni.

Rrënuat fabrika,

Rrënuat uzina,

Poshtë dialektika

Popullit i vutë mina!

Popullin morët zvarrë

Ndër shtigje tërbimi

Sharlatanë të marrë

Në duar thika krimi…

Shkatërruat gjithçka

Vreshta dhe pemtore

Parja e zeza vardha

Plagët s’po zënë kore.

Se pa u mbyll e vjetra

Hapet plagë e re

Popull i mashtruar

Shqiptarë pa atdhe.

Ikim nga sytë këmbët

Rrugëve të Evropës

Na i mpiu dhëmbët

Melodi e pordhës.

Melodi debile

Për shpëlarje truri,

Politikanë skile

Na vutë majë huri…

Njeriu për njerinë

Ujk e shkuar ujkut

Ç’e prishët njerëzinë

Ia pretë krahët bujkut.

Ia pretë krahët shpresës,

Harbuat rininë

Me shiringë droge

Injektuat marrëzinë.

Nuk njeh vllai vëllanë,

As dhe motra motrën,

Na grabitët paranë,

Shkrumb na e bëtë votrën.

Nuk ka humanizëm,

Nuk ka dinjitet,

Ka veç ekstremizëm,

Paraja është Mbret.

Poshtë e lartë barbarë

Lart e poshtë dreqër

I meçuri del i marrë

Të marrët dalin shenjtër…

Gjer në asht e keqja,

Njësh me lëkurën,

Vuajtja edhe heqja

Në çdo trup lënë vulën.

Na flet për moral

Kjo oligarkia

Virtyti në kanal

Ndot e pis Shqipëria.

Shqipëri mjerane

Shqipëri me halle

Ta ngritën tërbimin

Mal e përmbi male.

E latë punëtorin

Dhe pa bukë thatë,

Vritet minatori

Në galeri si kalë.

Bregdetin e kthyet

Në copëra lakmie

Edhe ujin e detit

Na e shitët për pije.

Vritet djelmuria

Në marrëzi landfilli,

Në gjunjë rinia

Çdo vesi dhe trilli.

Horra e barbarë

Pas të janë vërsulur

Të rjepjes ustallarë,

Në gjunjë të kanë ulur.

Zvarrë intelektualë

Zvarrë dhe dijetarë

Kjo ajkë e shoqërisë

Në rresht si ushatarë.

Gëzohu Sovran,

Qeshu, Sovran, qeshu,

Ha e pi fjalime

Me fjalime ngjeshu.

Horra e barbarë

Po bëjnë historinë

Në Ankand Pazar

E lanë Shqipërinë.

E lanë Shqipërinë,

Pa këmbë shqiptari,

Pa themel dhe kulm

Pa një gurë varri.

Djathtas maluketër

Majtas prestigjatorë

Instinktet kanë mbretër

Hiqen si shenjtorë

Palo deputetë

Palo ministror,

Na e latë atdheun

Dopio gjashtë në dorë…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat