Atje ku s’ka kufi vllaznia e shoqnia,
Ku lulja çel mbi gur e gjethon hana,
Ke rrënjë e degë ti, o Ali Kalia,
Të jetë me ty gjithëkujt ia ka anda.
Nuk e çon dëm kohën me fjalë e kotësi,
Nuk merresh me punë pa bereqet,
Nga zemra di të falësh vetëm dashuri
Me sjellje e virtyte si një Mbret.
M’u bëre shok e mik në rrugëtim
Shoqatën “Lura jonë” ta ngrejmë lart,
Askund nuk e hedh hapin me nxitim
Puna përkushtuese e ka emrin fat.
Lurian, bujar, me bukë e besë trimi,
Nuk i bën bisht nanës, Lurës së tij,
Kur kthehet te pragu e zë përmallimi
Dhe lokja hallemadhe e merr në gji…
Koha rend me galop ndër rrjedha
Ti ik dhe vjen ndër ato korije…
Dritë në çdo hap t’u bëftë jeta,
O Princ pa kurorë, emblemë mirësie!...