Romani "Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit" dhe "Kosova - histori e shkurtër" që u promovuan mbrëmë në Lezhë, zgjuan interesim të madh te lezhjanët, të cilët këtë ngjarje kulturore patën rastin ta përjetojnë me dy akte: të parin në bibliotekën "Gjergj Fishta", ku u promovua romani "Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit", dhe të dytin - veprën "Kosova - histori e shkurtër" e përcollën në ambientet e memorialit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Duke folur për romanin "Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit", shkrimtari Ernest Marku, pos tjerash vlerësoi se asht ndoshta vepra ma e arrirë në mision e një atdhetari mendjendritur, për t’iu qasur historisë nëpërmjet letërsisë. Historia e popullit tonë, ndonëse me shtrirje permanente edhe përtej antikitetit, me vazhdimësi dhe protagonizëm ekzistencial; ka mjaft vite të errëta, të cilave mund t’iu qasesh vetëm letërsisë. Viti i zgjedhur nga autori, 1747, asht një vit që nuk na thotë, asgjë e rëndësimeshme nuk në ndodh këtë vit. Trupat e gjeneral Pikolominit janë larguar me kohë nga Ballkani dhe bashkë me të është tulatur edhe ëndrra e lirisë; madje shumë malësorë, kanë ikur bashkë me trupat e gjeneralit. Në këtë vit, diku në Arkivat e Vatikanit, një prift katolik, zbulon “Mesharin” e shkruar shqip, nga një tjetër prift katolik i dy shekujve ma parë. Në registrin e Arkivës, ky libër regjistrohej në seksionin e gjuhëve të panjohura. Kaq di autori. Di edhe se zbuluesi i “Mesharit” të Gjon Buzukut, Gjon Nikollë Kazazi, do të bëhej Arqipeshkëv me seli në Gjakovë. Në këto kushte autori, një njohës i shkëlqyer i historisë së Ilirikumit, që sot quhet Ballkan; thërret të gjitha muzat e Parnasit, që ta ndihmojnë të rrëfejë një histori dhe nëpërmjet të rrëfyerit letrar, të lidhë nyjen e këputur të historisë së popullit shqiptar. Marku e përmbylli fjalën me vlerësimin se “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, mund të them se asht shembulli ma i mirë i letërsisë së angazhuar shqipe; angazhim ky, jo kundrejt një ideologjie, besimi apo sistemi; por kundrejt historisë, gjuhës dhe shpirtit të shqiptarit, kësaj dëshmije të gjallë të vazhdimësisë pellazgjike në Ilirikum."
Ndërsa promovimi i veprës "Kosova - histori e shkurtër", në memorialin e vend-varrimit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu - një sintezë të tetë vëllimeve e koncipuar si histori e natyrshme shqiptare nga antikiteti deri te koha jonë, për autorin është falemenderim veprës madhore të heroit kombëtar që shtetin shqiptar e ktheu në histori bashkë me lavdinë historike, por njëherësh paraqet edhe një shqetësim madje, kur shqiptarët po bëjnë përpjekje të kundërta - për t'u vetpërjashtuar nga historia: nga përpjekjet çoroditëse që identiteti kombëtar të zëvendësohet me identitet fetar, pa ngurruar që diku-diku, kujtesa historike, lashtësia antike dhe roli aktiv në ngritjen e qutetërimeve e deri te trashëgëmia shtetërore të shihen si barrë! Kjo sjellje absurde vërehet në rrethanat kur shtetet shqiptare në Ballkan (Shqipëria dhe Kosova, që paraqesin njërin ndër realitetet më të favorshme historike), nuk po sillen në përputhje me këtë realitet politik dhe me logjikoën shtetërore, në mënyrë që bota shqiptare, e bashkuar kulturalisht dhe politikisht, të kthehet në një faktor të rëndësishëm rajonal, pikërisht siç e projektonte Skënderbeu.
Sot, theksoi autori, shqiptarët nuk kanë nevojë të derdhin gjak. Janë të lirë. Por, kanë nevojë që këtë liri ta kthejnë në një realitet që fuqizon kohezionin e tyre kulturor dhe politik në përputhje me përkatësinë qytetërimit perëndimor pikërisht të tillë për të cilën Skënderbeu luftoi kundër pushtuesve osmanë për mbi një çerek shekulli. Ndaj nuk janë të rastësishme sulmet që zunë t'i bëhen heroit kombëtar kohëve të fundit, gjoja në emër të demitizimeve dhe demistifikimeve historike, që në të vërtetë paraqesin përpjekje që bota shqiptare, pa këtë emblemë historik, pa këtë figurë madhore që paraqet shtyllën e saj kurrizore identitare, në kuadër të trazicioneve të rëndësishme politike, ta humb kompasin e vet historik, kulturor si faktor i rëndësishëm i civilizimit perendimor me rrënjë në antikiteti, për t'u futur në mjegullën e popujve pa identitet kulturor dhe shpirtëror, një si mbetje pa histori, që rrezikon perëndimin me amallgam aziatik-islamik e hipoteka të ngjadhme nga Garashanini, Çubrilloviqi dhe të ngjashmit, që për fat të keq, nga Kriza Lindore e këndej, kanë ndikuar skenën politike europiane në dëm të zgjidhjes së saj, si çështje që duhej t'i jipej përgjigjeja në përputhje me të drejtën historike dhe etnike. Me këtë rast, autori u shpreh kritik edhe ndaj historianëve shqiptarë, veçmas atyre nga taborret institucionale, të cilët, në vend se të punojnë për rishkrimin dhe korrigjimin e historive kolektive nga e kaluara, të shumtën e impnuar nga shkollat sllavo-ruse, edhe mëtutje vazhdojnë të mbesin nën kthetrat e logjikës ideologjike dhe sidomos nën diktatin e historiografisë serbomadhe, ku pranphet edhe koncepti për të ashtiquajtirin shtet mesjetar serb, i projektuar në shekullin XIX për qëllime hegjemoniste.
Të tillët, të shumtën në sherbim të politikave ditore dhe të pazareve të tyre, jo vetëm që nuk bëjnë përpjekje ta mbrojnë historinë kombëtare dhe vlerat që paraqet ajo me Skënderbeun si referencë kryesore të identietit kulturor dhe historik, por edhe më tutuje vazhdojnë të mbahen peng i klisheve ideologjike, e mbi të gjitha të mbesin nën diktatin e historiografisë hegjemoniste serbe, ku natyrisht, jo rastësisht, Skënderbeu dhe vepra e tij përpiqen që të zhvlerësohen deri tek përmasat fyese!