Lexues të nderuar dhe dashamirë të letrave shqipe. Para dy ditësh më 23. 06. 2021, nga Suedia në Tiranë erdhën dy miqtë tanë të hershëm Sokol Demaku dhe Hamit Gurguri, shqiptarë të Drenicës dardane, banues në Suedi, të dy anëtarë të Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Suedisë, atdhetarë e veprimtarë të njohur të gazetarisë, radios, televizionit, letërsisë dhe përkthimeve në dy gjuhët shqip dhe suedisht. Meqenëse i kam pritur e përcjelle prej vitesh, jam i nderuar të them, se Sokoli dhe Hamiti kanë mbi 15 vjet, që rrahin Durrësin, Tiranën, dhe qytete të tjerë të Shqipërisë, të Dardanisë dhe Maqedonisë së Veriut. Vetëm ky vit i pandemisë i ka penguar disi, që të jenë më shpesh në takime e kuvende letrare e veprimtari shkollore.
Sot miqtë e nderuar erdhën me një qëllim e mision të lartë: Sollën çmimin “Penda e artë” akorduar shkrimtarit dhe studiuesit të njohur z. Viron Kona, dhënë nga QKSH. Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Boras-Suedi. Një lajm i gëzueshëm për krijuesit dhe letërsinë shqipe. E gjithë veprimtaria u organizua, në mjediset e hotel “Diplomati” në Tiranë, ku morën pjesë shkrimtarë, studiues, poetë, profesorë, pedagogë universiteti, botues librash, përkthyes, etj. Nga Durrësi, mes tyre: Kadri Tarelli, Gladiola Busulla, Merita Kuçi-Thartori, njëkohësisht nga Tirana prof. Hektori Veshi, Delo Isufi, Demir Osmani, Bujar Poçari, Muhamet Cenko, Mal Buçpapaj, Petrit Xhaja, Nurie Baduni, Prof. Zyhdi Dervishi, Bashkim Saliasi, etj.
Viron Kona, si organizator i këtij kuvendi, në përshëndetjen e tij plot emocione njerëzore, theksoi:
Të dashur Sokol dhe Hamit!
Faleminderit që keni ardhur në Shqipëri!
Kur vini ju nga diaspora e largët, na duket sikur bashkohen copa të atdheut. Neve na begatohen më shumë zemrat, mbushemi me më shumë energji dhe dashuri vëllazërore, sepse ne, në të vërtetë vëllezër jemi.
Sokol, vëllai ynë i dashur!
Me praninë tonë sonte këtu, dëshirojmë të themi, se jemi dhe qëndrojmë pranë teje edhe në dhembjen tënde të rëndë, për humbjen e djalit tuaj, një dhembje kjo, që është aq e rëndë, saqë nuk krahasohet as me peshën e maleve. Por, unë dhe miqtë që ndodhemi këtu, themi se burra si ti, na kanë treguar gjithnjë se dinë të qëndrojnë fort, dinë t`i përballojnë dhembje të tilla, duke na dhënë fuqi edhe neve. Besoj se kur je mes miqve dhe shokëve, dhimbja ndahet, venitet e tkurret, duke i dhënë kuptim jetës ngarkuar me plot veprimtari me vlera atdhetarie.
Dëshiroj të them se ardhja juaj nga Suedia, gjithherë na ka dhënë më shumë gjallëri. Ju keni çliruar tek ne energji brenda nesh, dhe ne jemi mbledhur rreth jush me dashuri vëllazërore, për t`ju treguar se jemi Një. Se jemi më shumë se shokë e miq, jemi vëllezër. Dhe, si të tillë, kemi zhvilluar këto takimet tona, pas të cilave në kujtesën tonë janë ruajtur përjetime, emocione dhe çaste njerëzore të paharrueshme, që i kemi përcjellë edhe në familjet tona, te miqtë e shokët e panumërt, që njëherazi janë edhe tuajt.
Ju keni ardhur dhe do të vini gjithnjë, jo vetëm se jeni të mirëseardhur, por sepse jeni në atdheun tuaj, jeni në shtëpinë tuaj, si të ishit në Dardani, në Drenicë, ashtu sikurse edhe ne, kur vijmë në trojet shqiptare të Dardanisë, ndihemi si të jemi këtu, sepse jemi i njëjti truall, jemi njerëz të njëjtit gjak, gjak shqiptar”.
Sokol Demaku në fjalën e tij të përshëndetjes, falënderoi të gjithë të pranishmit dhe të gjithë dashamirët që janë i bashkuar në dhimbjen e tij e të familjes. - Kur jam mes jush ndjehem më i fortë. E di që dhimbja nuk do të shuhet kurrë, por prania e miqve dhe shokëve më lehtëson.
Në vazhdim, Sokoli uron shkrimtarin Viron Kona, për arritjet e deri tashme në krijimtari, duke shpresuar se me të njëjtin vrull e përkushtim do të jetë në krye të punëtorëve të letrave shqipe edhe në të ardhmen. Ai i dhuron çmimin “Penda e artë”, akorduar shkrimtarit dhe studiuesit të njohur z. Viron Kona, si vlerësim i punës plot pasion në fushën e letrave, duke bërë të mundur afrimin dhe njohjen e dy kulturave të dy vendeve, Shqipëri dhe Suedi. Nuk është i rastit ky vlerësim, mjafton të përmend, se Vironi është anëtar nderi “Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Papa Klementi XI. Albani”, në Suedi. Njëkohësisht, nga afro 50 libra të Vironit, tetë i takojnë Suedisë: “Bukuri suedeze”, 2011, “Për ju, miqtë e mi”, 2012, “Zonja nga Borasi”, 2013, ”Ju dua më shumë se veten!”, 2015, “Poleni viking”, (me bashkautor), 2016 , “Kur vjen Sokoli”, 2018, “Marigoja shqiptare në Norvegji”, 2019. (Monografi), “Një ditë me Marigonë”, 2019. Pa përmendur me dhjetëra artikuj të publikuar në shtypi dhe në rrjetet elektronike.
Më tej Sokoli, pasi përmendi me nderim, Prof dr. Murat Gecaj dhe studiuesin Nuri Dregoj, dy nga miqtë tanë më të mirë, që tashmë nuk janë më mes nesh, shpalos projekte të veprimtarive letrare dhe artistike, si në Shqipëri, në Kosovë, dhe në Maqedoninë e Veriut. Me këtë rast shpërndau për të pranishmit, shumë libra dhe revista të botuara kohët e fundit.
Njerëz të tillë që gjejnë forcë të përballojnë momente të vështira, meritojnë vetëm admirim. Duke dëgjuar Sokolin tek fliste, m’u kujtua një shkrim të bërë këtu e dhjetë vjet më parë, qershor 2011: Sokol Demaku “Model i veprimtarit atdhetar”, Ku mes të tjerave, shprehesha: “Si fillim në krye të shkrimit mendova të vendosja titullin, “Sokol Demaku “Ambasador” i shqiptarëve në Suedi”. Shpejt ndërrova mendje. Kostumi i “ambasadorit” është shumë i ngushtë për trupin dhe shpirtin e Sokolit”. Besoj se komenti është i tepërt. Tani jam i bindur, besoj kështu edhe te të tjerët që e njohin dhe bashkëpunojnë me të, se Sokoli i kalon përmasat e “Ambasadorit”, kur është fjala për t’i shërbyer çështjes shqiptare. Botuar në “Fjala e lire”, Londër dhe gazeta “Republika”. Tiranë, më 06. 06. 2011.
Unë në fjalën time të shkurtër, ngushëllova Sokolin, njëkohësisht urova mikun tonë të hershëm, njeriun fisnik Viron Kona, për vlerësimin “Penda e artë”, që nderon atë dhe të gjithë ne miqtë e shokët, këtu në këtë kuvend krijuesish, por edhe në të gjithë trojet shqiptare. Urova Sokolin dhe Hamit Gurgurin, bashkë me ta edhe ata dhjetëra mërgimtarë, për përpjekjet e jashtëzakonshme që bëjnë në diasporë, jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të ruajtur e treguar me vepra kulturën dhe identitetin tonë, si shqiptarë. Besoj se nuk është pak njohja e ndërsjelltë e dy kulturave të dy vendeve miq Shqipëri dhe Suedi. Çdo shkronjë e hedhur në letër është një gur i çmuar në letrat dhe kulturën shqipe.
Këtë kuvend kaq të bukur dhe me vlerë, e përshëndetën edhe të tjerë të pranishëm: Shkrimtari, studiuesi dhe përkthyesi Hamit Gurguri, prof. Hektori Veshi, Delo Isufi, Demir Osmani, Bujar Poçari, Muhamet Cenko, Merita Kuçi-Thartori, Nurie Baduni, Bashkim Saliasi, etj.
Në fund po hedh në letër vetëm pak fjalë, si përmbledhje e këtij takimi të paharruar: “E gjitha, një rrugë e disa punë! Sokoli i organizon bukur punët dhe me mjaft kujdes, deri në imtësi”. Them kështu, pasi në vazhdim u nderuan edhe të tjerë krijues. Pak me vonesë për shkak të pandemisë, por dy miqtë nga Suedia, sollën për mua Kadri Tarelli, vlerësimin “Migjeni”, dhënë si pjesëmarrës në konkursin “Sofra poetike 2020”, organizuar në Borsa-Suedi. Të njëjtin vlerësim pati edhe poetja durrsake Merita Kuçi-Thartori dhe mësuesja poete Nurie Baduni nga Tirana. Poezitë tona janë përfshirë në “Antologji poetike”. Boras 2020, dhe “Fontanë fjalësh”, Boras 2021, njëkohësisht edhe në disa numra të revistës “Dituria”.
Siç shihet, jeta e këtyre krijuesve në mërgim është e pazakontë. Do të mjaftonin vetëm këto 10 konkurse poezie, me pjesëmarrje mbarëshqiptare, për t’i bërë një vlerësim të merituar për tituj nderi. E kam shprehur diku, se: “Nuk njoh shoqatë tjetër, të dytë për nga punët dhe veprimtaritë që bën, në dobi të çështjes shqiptare dhe kulturës kombëtare”.
Urime dhe suksese! Jetë, shëndet dhe penë të mprehtë!
Mirë u takofshim në kuvende të tilla me kaq vlerë dhe frymë atdhetarie!