Mbrëmje letrare-artistike për Gani Mehmetajn, fitues i çmimit “Kadare” 2021

Kultura

Mbrëmje letrare-artistike për Gani Mehmetajn, fitues i çmimit “Kadare” 2021

Më: 30 qershor 2021 Në ora: 16:27
Gani Mehmetaj

Të martën, u mbajt në Prishtinë, në hotel Sirius mbrëmje letrare-artistike që iu kushtua krijimtarisë e veprimtarisë së  shkrimtarit, dramaturgut, skenaristit  e publicistit Gani Mehmetaj.

Me interpretimin emocionues të aktores Sheqerie Buçaj nga monodrama e autorit “Kohë cubash, miku ime”, u çel mbrëmja. Ajo i dha emocione të veçanta publikut.

Në vazhdim gazetari dhe ish spikeri i njohur i Radiotelevizionit të Kosovës, Shaban Arifaj, shkrimtar, lexoi recensionin për romanin “Zogjtë e qyqes”, që mori çmimin Kadare.

“Krijimtaria letrare e mikut dhe shokut tim Gani Mehmetajt si dhe shtytësit kryesor për krijimtarinë time letrare, ngërthen në vete tre segmente të një krijuesi të shquar: rrëfimin, drejtpërdrejtshmërinë, stilistikën. Rrëfimi i Ganiut sa të magjeps me rrjedhshmërinë, aq të futë në imagjinatë të rrëfimit, dhe duke lexuar, të shpërfaq një pamje të gjallë dhe të pashkëputshme. Së fundmi me romanin "Zogjtë e Qyqes", Ganiu ka arritur që në mënyrë të drejtpërdrejtë, të paraqes një periudhë historike të Kosovës, në një mënyrë të veçantë.

 Mehmetaj ka stil të fuqishëm rrëfimi, dhe duke qenë redaktor i disa prej veprave të tij, e kam cilësuar si trashëgimtar të stilit kadareanë të shkrimit prozaik”, shkruan ndër të tjerat Arifaj.

Arbërie Krasniqi-Kondirolli këndoi dy këngë “Moj e bukura More” dhe “Shpirti im i këndon Perëndisë”, interpretime që e pasuruan mbrëmjen.  

  Në vazhdim poetja Naime Beqiraj me emocione artistike deklamoi fragmentin nga romani “Zhvarrimi” që u prit mirë nga artdashësit.  

Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kishës katolike në fjalën e rastit u përqendrua në veprimtarinë dhe krijimtarinë e Mehmetajt.

Ndërkaq, don Lush Gjergji vuri në pah disa momente kyçe të krijimtarisë, duke e shquar mprehtësinë dhe guximin e autorit.  

Në mungesë të dr. Blerim Latifit, anëtar jurie i çmimit “Kadare”, Saranda  Salihu lexoi shkrimin “Mbi romanin fitues “Zogjtë e qyqes” të shkrimtarit Gani Mehmetaj”

“Një kolon serb, ndërsa mund të jetë kolon i cilitdo komb, përmes situatave e veprimeve, dialogut e përsiatjeve, paraqet kronikën dyzetvjeçare të ngjarjeve, fatin e ardhacakëve dhe fatkeqësitë e vendësve. Ai përpiqet të bëhet objektiv, megjithëse ndonjëherë druan se është subjektiv, apo sikurse thotë vet, mos po mendoj si serb.

Ndërthurjet dhe konfliktet pastaj e zgjerojnë narracionin, e pasurojnë intrigën, e bëjnë dramën me dinamike, e ngrenë tensionin, i bëjnë të larmishme situatat. Ngjyrimet lokale janë të dukshme, koha është korniza që ia shton sharmin, e pasuron strukturën e brendshme të romanit. Galeria e personazheve është e gjerë, etnitë e ndryshme: shqiptarë, serbë, malazezë, boshnjakë, komuniteti egjiptian. Ka edhe familje hebraike, ashtu sikurse është një familje e çuditshme hungareze, me vajzën e bukur, në të cilën janë dashuruar të gjithë djemtë e lagjes. Në këtë mozaik është intrigues bjellogardisti i ardhur pas Luftës së Parë nga tundrat e Siberisë me laboratorin eksperimental”, shkruan ndër të tjerar profesori i filozofisë Dr Blerim Latifi.

Ndërkaq, i riu Mevlyd Rrahimaj këndoi me mjeshtri “Vajta kalova” dhe “O, moj e bukura Arbëri”.

Dr. Femi Cakolli, pastor dhe studiues i letërsisë, u përqendrua në disa segmente të shkrimtarit, meqë është ndër të pakët që e ka përcjell krijimtarinë  e Gani Mehmetajt nga fillimi me shkrime recensionale e studimore.  Dr. Cakolli u përqendrua në autorin apologjet, misionar dhe bartës i misionarit të kombëtares para presionit të madfh të shkombëtarizimit.  Gani Mehmetaj mori çmimin “Kadare” 2021 për dorëshkrimin e romanit “Zogjtë e qyqes”, nga Universiteti Evropian i Tiranës dhe Fondacioni “Gramoz Pashko”, ndërsa e botoi UETPRES, Tiranë.  Është autor i 26 veprave letrare, kinematografike, publicistike dhe skenarëve të filmit. 

Gani Mehmetajt, që iu kushtua kjo mbrëmje letrare-artistike të rinjtë e “Shtëpisë së Shpresës” i dhanë një mirënjohje të veçantë “Pena e shpresës”.     

Konferencierin e mbrëmjes Artur Krasniqin e karakterizoi elokuenca, shkathtësia dhe mjeshtëria si rrallë ndonjë udhëheqës të mbrëmjeve artistike. Ishte model edhe për televizionet tona.

Image
comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat