Nga t’ia nis për ty më parë?
Me vetë kohën jam në garë
Se çfarë solli çasti e ora
Nuk e solli vetë koha…
Moj ushtri me shumë derte
Rrugëtim në shteg qëndrese
Qëndrestare e pashuar
Nga barbarët e tradhëtuar.
E plaçkitur, nëpërkëmbur
Politika të sheh vëngër
Politika të do sherbetore
Nuk të do roje në llogore.
E tradhëtuar, e tejrrudhur
Por ti kalitur në kudhër
Hiç nuk jepesh, nuk dorëzohesh
Vetëm rritesh, veç lartësohesh…
Isha djalë, përpija retë
Kur u nisa drejt përjetë
Në rrugën tënde ylberore
Ushtar populli në llogore.
Në të mesmen skënderbegase
Kalova netë, ditë e mëngjese,
U pajisa me shumë dije
Shpirthekur në shtigje lirie.
Ndezëm shpirtin prushë e flakë
Egoizmin e nxorrëm jashtë
Futëm brenda besë qëndresën
Përjetë popullit i dhamë besën.
Në Shkollë të Lartë në Akademi
Morëm kulturë dhe dituri
U kalitëm në kudhër çeliku
Mos të na e shihte shpinën armiku.
U përballëm me stuhitë
U kacafytëm me dredhitë
Ia vumë gjoksin çdo tufani
Ushtarë bese na desh vatani…
Nga reparti në repart
Qëndresën e kthyem në art
Sup më sup porsi vetë malet
U bëmë njësh me ushtarët…
Nuk e lamë një pëllëmbë tokë
Të na e shkelin, të na e bëjnë trokë
Në poligone mes gjelbërimit
Ia vumë gjoksin përparimit…
Po ti sot, ushtri ku më je
“Porsi lis i rrëzuem përdhe”1
E grabitur, e poshtëruar,
E neveritur, e tradhëtuar…
E pamundur, jo sovrane
Në vend të këpucëve vesh nallane
Në vend të helmetës vë kokore
Nuk njeh transhe, nuk njeh llogore…
Nuk njeh zbor, nuk njeh alarm
Nuk është më populli nën armë
Nuk është më populli ushtar
Komandantët janë të parë…
Për të vjedhur me të dy duart
Në krye të vendit vunë të huajt
Shitën armë, shitën municione
Nuk ka më kush emocione…
Veç për pare e për kuletë
Fundërrinën e quan mbret
Matrapazin e quan gjeni
Kjo veç emrin paska ushtri…
E fundosi nëntëdhjetëeshtata
Armë e municione i nxorrën jashta
Në çdo rrugë kriste kallashi
U bënë bashkë i holli e i trashi.
Horrat e morën drejtimin
Gangsterët e dhanë kushtrimin
Magazinat e ushtrisë
U bënë numra llogarishë…
Për deputetë e shtetarë
Për ministra e tregtarë
Për xhambazë e ordinanca
I kthyen lekët në vakanca…
Vaj medet ushtri e mjerë
Gjenerala derë më derë
Pa arsim e pa shkollim
Iu thotë politika aferim.
Aferim ju thotë pushteti
Loloja bën veç ç’thotë mbreti
Në komandë drejton partia
Rrokopujën merr ushtria…
Pse rënkon me vaj e gjëmë?
Pse nuk ke më babë e nënë?
Pse të lanë ty bijë jetime?
Eja qëndro në muzën time…
Se ne bashkë jemi rritur
Në llogore jemi kalitur
Në thep të pushkës syri im
Pesëdhjetë vjet për vendin tim…
Ku janë tanket, ku janë topat?
Në konto kanë mbushur gropat!
Ku janë armët, ku janë predhat?
Në treg të zi shkuan të mjerat!
Në treg të zi të politikës
Ia vunë zjarrin në mes të ditës
Dhe e kthyen mbrojtjen kombëtare
Të marrë rrugët nëpër male!...
Moj ushtri, ti mos rënko
Mbaj fort radhët e lufto
T’ia kthesh vendit atë nderë
Të mos endesh si e mjerë…
Mos lejo, që politika
Të ti nxjerr djemtë në prita
Shtrëngo radhët e qëndresës
Bijë e nënës, motër e besës…
Le të zgjohen ato agime
Në mugëtirë të rinisë sime
Kur ia dhamë fjalën atdheut
Morëm fuqinë e Anetut…
Këtë fuqi e këtë besim
Që zemër e përtërinë
Bëje gjak e limfë ushtri
Përjetësisht do jemë me ty…
Sa të marrë frymë përmbi dhe
Ushtar llogoreje ti më ke
Nuk i lëshojmë këta troje kurrë
Sa të rrojë shqipja mbi flamurë!...